Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Ukrainës përfaqësojnë aktualisht forcën ushtarake më të fuqishme në Evropë, duke theksuar zhvillimin e kapaciteteve të avancuara në luftën moderne.
Sipas Rubios, ushtria ukrainase ka krijuar modele të reja operacionale në fushëbetejë, duke kombinuar taktika inovative, teknologji të avancuar dhe forma të luftës hibride asimetrike.
Ai po ashtu pretendoi se Forcat e Armatosura të Rusisë po përballen me humbje të mëdha në front, duke shtuar se Moska po humb pesë herë më shumë ushtarë çdo muaj.
Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur raportet e fundit tregojnë për ndryshime në situatën në terren. Sipas një analize të publikuar nga Institute for the Study of War, gjatë muajit të kaluar Ukraina ka rimarrë më shumë territor sesa që Rusia ka arritur të pushtojë.
Instituti amerikan vlerëson se kjo është hera e parë që nga ofensiva ukrainase e gushtit 2024 në rajonin rus të Kursk që Rusia regjistron humbje neto territoriale.
Megjithatë, pavarësisht avancimeve të fundit të Kievit, Rusia vazhdon të mbajë nën kontroll rreth 20 për qind të territorit ukrainas.
Ndërkohë, zyrtarë perëndimorë, duke iu referuar të dhënave të inteligjencës, kanë vlerësuar se humbjet mujore të ushtrisë ruse variojnë nga 30 mijë deri në 35 mijë ushtarë.
