Ivan Orlloviq, kryetar i subjektit politik Demokracia Serbe në Kosovë, ka publikuar disa ankesa që, sipas tij, janë marrë nga qytetarë serbë të Kosovës, të cilët pretendojnë se po përballen me ndalime, pyetje dhe vonesa shtesë nga policia serbe gjatë kalimit në vendkalimet kufitare me Serbinë, raporton KosovaPress përcjell Dukagjini.
Sipas Orlloviqit, serbët e Kosovës po vendosen nën presion dhe “nën llupën e regjimit serb”, veçanërisht ata që në rrjetet sociale kanë shprehur mbështetje për parti opozitare ose kanë kritikuar pushtetin në Serbi.
Në postimin e tij, ai ka publikuar edhe disa mesazhe të qytetarëve që rrëfejnë se janë ndaluar për disa orë në vendkalimin administrativ në Jarinjë dhe janë marrë në pyetje nga policia serbe. Në një nga mesazhet thuhet se qytetarët janë ndaluar “që të mos votojnë për lista të tjera përveç Listës Serbe”, ndërsa një tjetër thotë se personat që mbështesin opozitën apo kanë marrë ndihmë nga parti të tjera “po privohen dhe po mbahen për orë të tëra”.
“Kushdo që nuk është me Lista Serbe dhe kushdo që është me ndonjë parti tjetër, si dhe kushdo që ka marrë ndonjë ndihmë nga çfarëdo partie tjetër, po ndalohet këto ditë në Jarinjë nga ana e pushtetit serb”, thuhet në një nga ankesat e publikuara nga Orlloviq.

Në një pjesë tjetër të bisedës, një qytetar që ankohet thotë se policia ia ka përmendur edhe Milan Radoiciq gjatë marrjes në pyetje “A je me Radoiçiqin apo me Rashiqin?”
Orlloviqi tha se në periudhën e fundit ka pranuar ankesa të shumta nga serbë të Kosovës, të cilët pretendojnë se po përballen me shqetësime dhe vonesa shtesë në kufi për shkak të komenteve, postimeve apo aktiviteteve të tyre në rrjetet sociale, përfshirë pëlqimet dhe mbështetjen për opsione opozitare.

Ai theksoi se liria e mendimit dhe përkatësia politike duhet të jenë të garantuara për çdo qytetar, pa frikë apo pasojat.
Në fund, ai u bëri thirrje mbështetësve të opozitës që të tregohen të kujdesshëm gjatë kalimit nëpër vendkalimet kufitare, duke paralajmëruar se zgjedhjet janë afër./KP
