Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se një person ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në një incident që ka ndodhur mbrëmjen e 14 majit në Prishtinë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur rreth orës 21:40 në rrugën “Ali Sokoli”, ku personi me inicialet A.V. ka pësuar plagë nga arma e zjarrit. I lënduari është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë prokurori kujdestar dhe njësitë e Policia e Kosovës, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “vrasja e rëndë në tentativë”.
Prokuroria bëri të ditur se, në bashkëpunim me Policinë, janë duke u ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, do të informojë opinionin publik për zhvillimet e mëtejme lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftim.