Forca e Sigurisë së Kosovës ka bërë të ditur se Policia Ushtarake e saj ka realizuar për herë të parë Kursin për Intervenime dhe Kontrollim të Turmave, në kuadër të ngritjes së kapaciteteve operacionale të kësaj njësie.
Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi është zhvilluar në bashkëpunim me instruktorë nga Policia Ushtarake Kroate dhe konsiderohet një hap i rëndësishëm në avancimin profesional të pjesëtarëve të Policisë Ushtarake, njofton Dukagjini.
Tutje bëhet e ditur se gjatë kursit, pjesëtarët iu nënshtruan një programi intensiv që ndërthurte njohuritë teorike dhe praktike, me fokus në reagimet e shpejta operative dhe operacionet në ambiente të mbyllura.
“Në kuadër të ngritjes së kapaciteteve të Policisë Ushtarake është realizuar për herë të parë Kursi për Intervenime dhe Kontrollim të Turmave, realizuar në bashkëpunim me instruktorë nga Policia Ushtarake Kroate. Ky trajnim, shënon një hap të rëndësishëm pasi që për herë të parë është integruar moduli i specializuar për intervenime, kontroll të turmave dhe luftime në hapësira të mbyllura (CQB) të Policisë Ushtarake”, thuhet në njoftim.