“Kosova është pjesë e Serbisë”, memorandumi i studentëve serbë rikthen retorikën nacionaliste të viteve ’90-ta

Studentët serbë që prej javësh po protestojnë kundër regjimit të presidentit Aleksandar Vuçiq, të dielën kanë publikuar një memorandum të ri, i cili për nga gjuha dhe tezat kryesore ngjason me Memorandumin famëkeq të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë (SANU) të vitit 1986.

Në dokument, studentët e cilësojnë Kosovën si “pjesë të patjetërsueshme dhe integrale të Republikës së Serbisë”, duke theksuar se kjo çështje “nuk mund të negociohet”.

Memorandumi është miratuar në Kragujevc, qytet që autorët e përshkruajnë si “kryeqyteti i parë i Serbisë moderne dhe qendër e mendimit shtetndërtues serb”.

Sipas dokumentit, ruajtja e “rendit kushtetues të Serbisë” në Kosovë paraqet “themeli i mbijetesës së shtetit serb” dhe, siç thuhet më tej, një “garanci për paqe të drejtë në rajon”.

Në memorandum theksohet gjithashtu se

“Kosova dhe Metohija nuk janë thjesht territor, por përbërës i identitetit kombëtar serb”, ndërsa përmenden edhe monumentet fetare ortodokse në Prizren, Pejë dhe Graçanicë si pjesë e trashëgimisë “shpirtërore dhe kulturore serbe”.

Studentët deklarojnë se çështja e Kosovës nuk mund të zgjidhet në izolim, por vetëm përmes bashkëpunimit me bashkësinë ndërkombëtare dhe organizatat relevante, duke insistuar se çdo zgjidhje duhet të mbetet “brenda kornizës së Kushtetutës së Serbisë”.

Dokumenti përmbyllet me thirrjen se çdo qytetar i Serbisë ka “detyrim moral dhe historik” për ruajtjen e Kosovës, ndërsa angazhimi për këtë çështje përshkruhet si “luftë për nderin, kulturën dhe të ardhmen” e popullit serb.

Ngjashmëri me Memorandumin e vitit 1986

Memorandumi i publikuar sot është parë si një derivat i dokumentit të SANU-së të vitit 1986, i cili më pas u përdor nga elitat politike në Serbi për të legjitimuar politika nacionaliste dhe pushtuese në ish-Jugosllavi.

Memorandumi i vitit 1986 u shndërrua në bazë ideologjike për ngritjen e Sllobodan Millosheviqit në pushtet (1987), ndërsa tezat e tij – për “diskriminim ekonomik të Serbisë”, “shtypje të serbëve në Kroaci” dhe pretendime për “gjenocid ndaj serbëve në Kosovë” – e paraqisnin Serbinë si viktimë.

Në dekadën që pasoi, Serbia u përfshi në katër luftëra në Ballkan (Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë), të cilat u shoqëruan me krime të rënda, përfshirë masakrat në Vukovar, Srebrenicë dhe në Kosovë.

Memorandumi i studentëve, i publikuar në një kohë protestash kundër pushtetit aktual në Beograd, rikthen në vëmendje retorikën që historikisht ka shërbyer për mobilizim nacionalist rreth çështjes së Kosovës. /Telegrafi.

Shija e redaktorit

Komisionerja Kos: S’mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën

Komisionerja për Zgjerim e Bashkimi Europian, Marta Kos deklaroi se nuk mund të ketë siguri në Evropë pa Kosovën, duke e cilësuar vendin pjesë...

Kongresmeni amerikan Keith Self: Kosova aleate më besnike e SHBA-së

Kongresisti amerikan Keith Self e ka cilësuar Kosovën si një nga partnerët më të afërt dhe më besnikë të Shteteve të Bashkuara në Evropë. “Unë...

Manga Month – në Librarinë Dukagjini

Gjatë muajit maj, Libraria Dukagjini po shndërrohet në një pikë takimi për dashamirësit e kulturës japoneze përmes iniciativës “Manga Month”, e realizuar në bashkëpunim...

Të fundit nga rubrika