Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të martë në Shqipëri, konkretisht në Mamurras, ku një person ka mbetur i plagosur pas një operacioni policor për arrestimin e tij.
Siç raportojnë mediat në Shqipëri ndërsa i riu ishte në ndjekje nga forcat policore, ka qenë i armatosur dhe ka tentuar të përplasë automjetin e tyre, të cilët janë përgjigjur e shkëmbim zjarri.
“Në vijim të operacioneve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, të realizuara pas shkëmbimit të informacioneve dhe koordinimit të veprimeve operacionale me partnerët ndërkombëtarë, me qëllim kapjen e shtetasve në kërkim, është administruar informacion për vendndodhjen e shtetasit të shpallur në kërkim L.D, 23 vjeç, lindur në Mamurras, i dënuar me 7 vjet burgim nga Gjykata e Trentos, për tentativë vrasjeje. Gjatë operacionit për kapjen e të kërkuarit, në momentin e ndërhyrjes, në një karburant në aksin rrugor ‘Mamurras–Laç’, 23-vjeçari, që shoqërohej nga shtetasi A. F, dhe lëvizte me automjet, sapo ka konstatuar efektivët, ka tentuar t’i përplasë me automjet, duke u rrezikuar jetën, si dhe personi shoqërues iu ka drejtuar armën e zjarrit pistoletë, shërbimeve të Policisë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
I plagosuri është dërguar fillimisht në spitalin e Kurbinit, e më pas është transferuar në Tiranë.
Pas ngjarjes, u arrestua në flagrancë edhe shtetasi me inicialet A. F., 28 vjeç, që shoqëronte shtetasin në kërkim. Gjithashtu, është sekuestruar arma e zjarrit.