Ish-komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Kadri Kastrati, ka folur për furnizimin me armatim të Kosovës nga Turqia dhe mbështetjen që shtetet aleate po i japin sektorit të sigurisë në vend.
Në emisionin “FIVE” në Dukagjin, Kastrati deklaroi se Turqia ka qenë vazhdimisht një nga partnerët më të afërt të Kosovës në aspektin ushtarak dhe të sigurisë, duke ndihmuar jo vetëm me pajisje ushtarake, por edhe me trajnime dhe shkollim të pjesëtarëve të FSK-së.
Ai tha se mbështetja ndërkombëtare për Kosovën nuk duhet të lidhet me sukseset e Qeverisë aktuale, por me partneritetin strategjik që Kosova ka ndërtuar ndër vite me shtetet aleate.
“Këto ditë e kemi parë edhe përkrahjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me 14 milionë dollarë dhe në vazhdimësi që nga marsi i vitit 1999 ka qenë partneri yn kryesor e strategjik në të gjitha proceset e të gjitha kalimet tona dhe tani është duke e përkrahur Kosovën – kjo të mos përzihet me sukseset e kësaj qeverie. Gjithashtu, Turqia që nga koha kur unë kam drejtuar FSK-në ka qenë gjithmonë 100% e afërt në mbështetje jo vetëm me armatim, por edhe me shkollim e trajnime të ndryshme”, u shpreh Kastrati.
Ish-komandanti Kastrati nuk la pa përmendur edhe paralajmërimet për funksionalizimin e fabrikës së municioneve në Kosovë, duke shprehur skepticizëm për realizimin e projektit brenda afateve të paralajmëruara.
“Ne jemi ngopur nga premtimet, është thënë që deri në fund të këtij viti do të dalin edhe prodhimet e para të municioneve në fabrikën e re – e kam thënë edhe më herët kryeministri në detyrë e ka thënë se do të jetë 100 përqind fabrikë e shtetit dhe jo privato-publike. Unë vetëm në Korenë e Veriut e di se ekzistojnë fabrikat e shtetit ku nuk janë të involvuara edhe sektori privat ashtu që dyshoj se kjo fabrikë do të ketë suksese do të kisha dëshiruar shumë që të jetë funksionale deri në fund të vitit sepse Kosovës i duhet shumë – por i duhet edhe prodhimi i armatimeve tjera”, u shpreh Kastrati.