Avokati Adrian Ibrahimi ka komentuar rastin e arrestimit të shtatë personave në komunën e Graçanicës, të dyshuar për përfshirje në veprën penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”.
Sipas Ibrahimit, bazuar në informacionet publike, Policia e Kosovës ka ndaluar shtatë shtetas të Kosovës, të nacionalitetit serb, nën dyshimin për përfshirje në veprën penale të paraparë me nenin 210 të Kodit Penal.
“Sipas informacioneve publike, në komunën e Graçanicës Policia e Kosovës ka ndaluar shtatë shtetas të Kosovës, nën dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në veprën penale sipas nenit 210 ‘Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve’ dhe të njëjtit me vendim të prokurorit janë ndaluar për 48 orë”, deklaroi ai.
Ibrahimi tha se Prokuroria duhet të shqyrtojë mundësinë e paraqitjes së kërkesës për sigurimin e pranisë së tyre në procedurë.
Ai shpjegoi se, sipas Kodit të Procedurës Penale, ndalimi bëhet atëherë kur ekziston dyshimi i arsyeshëm ose i bazuar se një person mund të jetë i përfshirë në kryerjen e një vepre penale.
“Sipas Kodit të Procedurës Penale, ndalimi bëhet kur ekziston dyshimi i arsyeshëm apo i bazuar se një person ka mundur ose mund të jetë i përfshirë në veprën penale”, u shpreh avokati.
Tutje, ai theksoi se provat konkrete për veprën “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve” duhet të dëshmojnë përdorimin eventual të forcës, kanosjes serioze ose keqpërdorimit të varësisë ekonomike ndaj votuesve.
“Provat konkrete duhet të shkojnë në drejtim të dëshmive që sqarojnë përdorimin eventual të forcës, kanosjes serioze ose keqpërdorimit të varësisë ekonomike, përmes së cilës eventualisht do të detyrohej një votues të votojë kundër vullnetit të tij”, tha Ibrahimi.
Sipas tij, secili prej këtyre elementeve, nëse vërtetohet, mund të krijojë dyshim të bazuar mirë për veprën penale.
Avokati, Ibrahimi është shprehur se organet e rendit dhe sigurisë të Kosovës duhet të jenë shumë më shumë vigjilente, sidomos tani dy javë para zgjedhjeve të parakohshme të vendit.
“Tani që jemi dy javë para zgjedhjeve, organet e rendit duhet të tregohen më shumë vigjilente dhe organet e hetuesisë të bashkëpunojnë me qytetarët. Duhet bërë thirrje ndaj gjithë komuniteteve të raportojnë dyshimet e tyre që ballafaqohen me organet kompetente|, vijoi avokati.
Ndryshe, Betim Osmani – Iniciativa Qytetare, Mitrovicë ka deklaruar se në veriun e Kosovës prej vitesh ekzistojnë raste të kërcënimeve dhe presioneve ndaj qytetarëve, jo vetëm të komunitetit serb, në lidhje me pjesëmarrjen në aktivitete politike dhe votime.
“Jo vetëm tani, por gjithmonë në veriun e Kosovës ka pasur raste që janë kërcënuar edhe komunitete tjera, jo vetëm komuniteti serb”, deklaroi ai.
Sipas Osmanit, qytetarët në veri, veçanërisht ata që punojnë në institucionet serbe të arsimit dhe shëndetësisë, përballen me presione të vazhdueshme politike.
“Me atë kushtëzim, i detyrojnë qytetarët serbë të marrin pjesë në votime dhe aktivitete të tjera politike”, tha ai.
Ai përmendi edhe raste të zyrtarëve që, sipas tij, janë penalizuar për shkak të angazhimit kundër kontrabandës dhe krimit.
“Kemi pasur raste kur inspektorit për luftimin e krimit dhe kontrabandës në rajonin e Mitrovicës i është ndërruar katër herë vendi i punës. Ai i ka rezistuar kontrabandës dhe është i njohur në institucionet e Kosovës”, u shpreh Osmani.
Sipas tij, kërcënimet dhe shantazhet ndaj qytetarëve ndodhin pothuajse çdo ditë, ndërsa institucionet kompetente nuk po arrijnë të mbrojnë integritetin e qytetarëve.
“Këto kërcënime dhe shantazhe bëhen çdo ditë. Institucionet tona kompetente që janë të obliguara të ruajnë integritetin e qytetarëve nuk e kryejnë punën e tyre”, deklaroi ai.
Tutje, Osmani tha se raste të ngjashme kanë ndodhur edhe jashtë veriut të Kosovës dhe prekin edhe komunitete tjera.
“70 deri në 80 për qind e rasteve kanë ndodhur edhe me komunitete tjera, jo vetëm në veri të Kosovës por edhe në vende të tjera”, tha ai.
Ai shtoi se mungesa e institucioneve funksionale dhe mbështetjes për komunitetin serb në veri dhe në enklava krijon hapësirë për presione politike ndaj qytetarëve.
“Nuk kanë alternativë tjetër. Nuk ka institucione si duhet, sidomos në veri apo në enklavat e komunitetit serb. Nuk kanë mbështetje”, përfundoi Osmani.
