Më shumë se 40 mijë banorë në Kaliforni janë evakuuar pasi një substancë toksike kimike nisi të rrjedhë nga një rezervuar në një fabrikë të prodhimit të pajisjeve ajrore në SHBA.
Rezervuari në jug të Kalifornisë përmban rreth 26 mijë litra metil metakrilat, një substancë shumë e paqëndrueshme dhe e ndezshme që përdoret në prodhimin e plastikës, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Autoriteti i Zjarrfikësve të “Orange County” (OCFA) lëshoi urdhrat fillestarë për evakuim në zonën përreth objektit në Garden Grove të enjten pasdite, pas raportimeve për rritje të temperaturës në rezervuar.
Zona e evakuimit është zgjeruar dhe shkaqet e rrjedhjes po hetohen.
Zyrtarët e OCFA-së thanë se në objekt ndodhen tre rezervuarë, njëri prej të cilëve ka pësuar dëmtim të sistemit të ftohjes.
Në një konferencë për media të premten pasdite, shefi i OCFA-së, Craig Covey, tha se ekzistojnë dy skenarë të mundshëm nga rrjedhja: i pari është që rezervuari të dështojë dhe të derdhë “kimikate shumë të rrezikshme” në zonën përreth fabrikës.
“Ose e dyta, rezervuari të hyjë në një reaksion termik të pakontrolluar dhe të shpërthejë, duke prekur edhe rezervuarët e tjerë përreth që përmbajnë karburant ose substanca kimike,” tha ai.
“Kjo nuk është një masë paraprake,” shtoi ai. “Ky rezervuar do të dështojë dhe ne nuk e dimë se kur… Po bëjmë maksimumin për të kuptuar kur ose si mund ta parandalojmë.”
Një ekip i specializuar për materiale të rrezikshme po punon me ekspertë për të gjetur një mënyrë për të ulur presionin në rezervuarin e dëmtuar dhe për të kufizuar ekspozimin.