Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se u ka kërkuar negociatorëve amerikanë “të mos nxitojnë” për arritjen e një marrëveshjeje me Iranin, pasi më herët kishte lënë të kuptohej se një dakordim ishte afër.
Në një postim në rrjetet sociale, Trump tha se bisedimet po zhvillohen në mënyrë “konstruktive”, por theksoi se të dyja palët duhet të marrin kohën e nevojshme për ta finalizuar marrëveshjen siç duhet.
Sipas raportimeve, marrëveshja e diskutuar përfshin zgjatjen e armëpushimit për 60 ditë, rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe nisjen e negociatave të reja për programin bërthamor iranian.
Zyrtarët iranianë kanë dhënë sinjale të ngjashme, duke thënë se palët janë njëkohësisht “shumë afër dhe shumë larg” arritjes së një marrëveshjeje.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se ekziston një propozim serioz mbi hapjen e ngushticës dhe nisjen e negociatave të kufizuara në kohë për çështjen bërthamore.
Megjithatë, marrëveshja ka shkaktuar përçarje brenda republikanëve, ku disa senatorë e kanë kundërshtuar ashpër, duke e cilësuar si tepër të butë ndaj Iranit.
Konflikti nisi më 28 shkurt, kur SHBA dhe Izraeli ndërmorën sulme të gjera ndaj Iranit, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj duke goditur Izraelin dhe shtetet aleate të SHBA-së në Gjirin Persik, si dhe duke bllokuar Ngushticën e Hormuzit.