Një aksident trafiku me lëndime ka ndodhur sot (e hëne) në rrugën Gjilan-Kamenicë, në dalje të fshatit Kmetoc në Komunën e Gjilanit, ku pesë persona kanë mbetur të lënduar.
Lajmin e ka konfirmuar për RTV Dukagjinin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka pranuar informatën për aksidentin rreth orës 15:50, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, ndihma e shpejtë, Njësia e Trafikut Rajonal dhe hetuesit e aksidenteve.
“Nga hetimet e para njoftohemi se në aksident janë të përfshira dy vetura, ku pesë persona kanë marrë lëndime trupore. Të njëjtit me ndihmën e shpejtë janë dërguar në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Gjilan. Më pas, njëri prej tyre është transferuar në QKUK për trajtim të mëtutjeshëm, ndërsa katër të tjerët janë liruar”, ka deklaruar Hashani.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po vazhdon hetimet për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat që çuan deri te aksidenti.