Si shumë qytetarë të tjerë në diasporë, edhe Shaban Toski së fundmi e pranoi zarfin me fletëvotimin brenda.
Por, pikërisht aty, shqiptari nga Zvicra, vërejti disa dallime në krahasim me herët e kaluara kur kishte votuar, gjë që i ngriti dyshime.
“Unë që sa vjet votoj kështu me postë. Po, si kësaj radhe asnjëherë nuk ka ardhë zarfi. Pa kurrfarë mjeti sigurie. As nuk kanë thirr me nënshkrua, as nuk ka pasë adresë për me e dorëzu, as nuk ka pasë shirit të sigurisë”, tha Toski.
Mungesën e shiritit përkatës e ka konfirmuar edhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Por, sipas këtij institucioni, fletëvotimi megjithatë mbetet i sigurt.
“Procesi i votimit me postë zhvillohet në atë mënyrë që votuesi e vendos fletëvotimin në zarfin e fshehtësisë, i cili mbyllet me ngjitësin standard që e posedon vet zarfi. Pra, mungesa e një shiriti shtesë ngjitës nuk e cenon vlefshmërinë e fletëvotimit. Ato përmbajnë së paku tri veçori të sigurisë, të cilat i bëjnë ato të mbrojtura nga kopjimi apo falsifikimi. Këto veçori përfshijnë mikroshtypin, UV printin dhe elementin “anti-copy”, i cili shfaq shenjë dalluese në rast se tentohet kopjimi i fletëvotimit”, thuhet në përgjigjen e KQZ-së për Dukagjinin.
Megjithatë, disa mangësi të tilla në dërgesat për fletëvotime janë evidentuar edhe nga Organizata Germin, e cila avokon për të drejtat e mërgimtarëve.
“Në disa raste nuk ka ekzistuar fare udhëzuesi për votim, e në disa raste ka pasë mungesë të banderolave që janë përdorë për zgjedhje lokale”, deklaroi Lirim Krasniqi nga “Germin”.
Sidoqoftë, qytetari nga diaspora, po e konsideron mundësinë që zarfin të mos e kthejë mbrapshtë.
“Po të them sinqerisht që jam duke mendu mos me e dërgu hiç votën me postë. Kam dyshime që kështu mund të keqpërdoret.
Meqenëse rasti i Toskit mund të mos jetë i vetmi, Krasniqi nga Germin vlerëson që sqarimet lidhur me procesin janë bërë me vonesë.
“Këto çështje duhet të sqaroheshin mirë para se të fillonte procesi, e jo në mes të tij, në mënyrë që të shmanget çfarëdo perceptimi në raport me procesin, sepse bëhet fjalë për numër të madh të votuesve”.
Në zgjedhjet e 7 qershorit janë regjistruar rreth 110 mijë votues nga diaspora.