Sot vendi hyn zyrtarisht në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit, procesi i tretë zgjedhor brenda një viti e gjysmë, pas krizës politike të shkaktuar nga dështimi i Kuvendit për zgjedhjen e presidentit të ri.
Subjektet kryesore politike kanë paralajmëruar aktivitetet hapëse në disa qytete të vendit.
Lëvizja Vetëvendosje do ta hapë fushatën të enjten me një tubim në Palestrën Sportive në Ferizaj, duke filluar nga ora 19:30.
Në këtë aktivitet, Albin Kurti do të kërkojë mbështetje për një mandat të ri në krye të qeverisë.
Nga ana tjetër, Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë aktivitetin hapës në qendër të Ferizajt në orën 20:00, me Bedri Hamza si kandidat për kryeministër.
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nisë zyrtarisht fushatën në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, në orën 18:00.
Kujtojmë se LDK hyn në këto zgjedhje me Vjosa Osmani si kandidate për presidente dhe Lumir Abdixhiku për postin e kryeministrit.
Ndërkaq, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do ta çelë fushatën në Gjakovë, në orën 19:45, me Ardian Gjini në garë për kryeministër, pas tërheqjes së Ramush Haradinaj nga drejtimi i partisë.
Sipas kalendarit zgjedhor, fushata do të zgjasë deri më 6 qershor, vetëm një ditë para mbajtjes së votimeve.
Zgjedhjet e reja u shpallën pasi Kuvendi i Kosovës dështoi të zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, duke e futur vendin në një tjetër krizë politike.