Ushtria amerikane ka kryer sulme të reja ndaj Iranit, duke shënjestruar një objekt ushtarak në Bandar Abbas, një qytet-port strategjik.
Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom) tha se forcat e saj gjithashtu rrëzuan katër dronë iranianë vetëshpërthyes “që përbënin kërcënim rreth Ngushticës së Hormuzit”, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Sipas Centcom-it, objekti në Bandar Abbas u godit teksa po përgatitej të lëshonte një dron të pestë. Mediat iraniane raportuan se shpërthime u dëgjuan në lindje të qytetit.
Sulmet ndodhën në mes të një armëpushimi të brishtë mes SHBA-së dhe Iranit, si dhe negociatave të zgjatura për t’i dhënë fund luftës tremujore që ka bllokuar trafikun në Ngushticën e Hormuzit dhe ka rritur çmimet globale të derivateve.
Kjo është hera e dytë brenda tre ditësh që SHBA-ja sulmon objektiva në Iran, duke thënë se sulmet janë kryer në vetëmbrojtje. Rifillimi i armiqësive rrezikon armëpushimin.
Centcom i përshkroi veprimet si “të matura, thjesht mbrojtëse dhe të synuara për të ruajtur armëpushimin”.
Më herët këtë javë, ajo konfirmoi një valë të mëparshme sulmesh “vetëmbrojtëse” në jug të Iranit të hënën, ku u goditën baza raketore iraniane dhe anije që po përpiqeshin të vendosnin mina në Ngushticë, ku mijëra anije tregtare cisternë kanë mbetur të bllokuara për shkak të konfliktit.
Centcom tha se ato sulme kishin për qëllim “mbrojtjen e trupave tona nga kërcënimet e forcave iraniane”.
Irani i dënoi sulmet si “shkelje të rëndë të armëpushimit” dhe premtoi se “nuk do të lërë pa përgjigje asnjë akt armiqësor”.
Të enjten, ushtria e Kuvajtit tha se mbrojtja ajrore po ndërhynte në “kërcënime armiqësore me raketa dhe dronë”, pa dhënë më shumë detaje.
SHBA-ja vendosi gjithashtu sanksione ndaj “Autoritetit të Ngushticës së Gjirit Persik” – organi iranian përgjegjës për mbledhjen e pagesave nga anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Departamenti Amerikan i Thesarit tha se çdo anije që paguan këtë autoritet mund të “ekspozohet ndaj rrezikut të sanksioneve”.
Një e pesta e gazit natyror të lëngshëm dhe naftës botërore zakonisht kalojnë nëpër këtë korridor detar, dhe mbyllja e tij ka ndikuar në tregtinë globale të karburanteve.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, tha të hënën se Teherani po mbledh tarifa për “shërbime navigimi” dhe se do të vazhdojë të menaxhojë trafikun në këtë rrugë ujore.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, e quajti këtë “përpjekja më e fundit e ushtrisë iraniane për të zhvaturr tregtinë globale detare” dhe “provë” se Irani “është i dëshpëruar për para”.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit (IRGC) tha gjithashtu të martën se kishte rrëzuar një dron amerikan dhe kishte qëlluar ndaj një avioni luftarak dhe një droni tjetër që kishin hyrë në hapësirën ajrore iraniane, por nuk specifikoi se kur kishte ndodhur kjo.
Gjatë një mbledhjeje të kabinetit të mërkurën, presidenti amerikan Donald Trump tha se Irani “po negocion pa fuqi”, duke këmbëngulur se strategjia e tij e luftës nuk do të ndikohet nga zgjedhjet afatmesme amerikane të nëntorit.
“Ndoshta duhet të kthehemi dhe ta përfundojmë, ndoshta jo”, tha ai.
Gjatë së njëjtës mbledhje, presidenti u bëri thirrje vendeve të Gjirit që t’i bashkohen Marrëveshjeve të Abrahamit për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin.
Izraeli nisi luftën kundër Iranit së bashku me SHBA-në më 28 shkurt dhe po ashtu është i përfshirë në luftë me Hezbollahun e mbështetur nga Irani në Liban.
Trump ka kërcënuar se do të rifillojë një fushatë bombardimesh në shkallë të gjerë nëse Irani nuk pranon kushtet e tij.
Megjithëse Trump fundjavën e kaluar u shpreh optimist duke thënë se një marrëveshje paqeje me Iranin ishte “negociuar në masë të madhe”, të mërkurën ai tha se SHBA-ja “nuk është e kënaqur”.
Ai tha se Teherani ishte “shumë i interesuar” për arritjen e një marrëveshjeje për t’i dhënë fund konfliktit, por shtoi se “deri tani nuk kanë arritur aty”, duke përsëritur gatishmërinë e Uashingtonit për të rifilluar sulmet nëse nuk arrihet marrëveshja.
Komentet e tij erdhën pasi televizioni shtetëror iranian publikoi ato që i quajti detaje të një draft-marrëveshjeje, ku përfshihej rihapja e Ngushticës së Hormuzit dhe tërheqja e forcave amerikane nga rajoni.
Shtëpia e Bardhë e quajti tekstin “një trillim të plotë”.
Të dyja palët sinjalizuan javën e kaluar se ishte bërë përparim drejt një marrëveshjeje, duke nxitur spekulime se një njoftim ishte afër.
Megjithatë, Teherani paralajmëroi shpejt se marrëveshja “nuk ishte e afërt”, ndërsa Trump tha se u kishte kërkuar negociatorëve të tij “të mos nxitojnë”.
“Ata thjesht duan të bëjnë marrëveshje – nuk mendoj se kanë zgjedhje tjetër. Irani është shumë i interesuar, duan shumë të arrijnë një marrëveshje. Deri tani nuk kanë arritur aty dhe ne nuk jemi të kënaqur me të, por do të jemi. Ose kjo, ose do të duhet thjesht ta përfundojmë punën”, deklaroi Trump.