Kandidatja për presidente nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani, është pritur me brohorima të mëdha në tubimin hapës të partisë, ku qytetarët dhe mbështetësit kanë thirrur vazhdimisht “Vjosa, Vjosa”.
Në fjalimin e saj para mbështetësve, Osmani bëri thirrje për bashkim, zhvillim dhe forcim të shtetit të Kosovës, duke theksuar se vendi nuk duhet të lejojë përçarje politike që e dëmtojnë rrugën e tij të konsolidimit shtetëror.
“Nuk do ta lëmë që të shkatërrohet nga përçarjet, por do ta ndërtojmë edhe më shumë, do ta zhvillojmë edhe më shumë, do ta integrojmë edhe më shumë, e do ta mbrojmë edhe më shumë. Po e rinisim këtë rrugë. Po e rinisim këtë rrugë. Po e rinisim këtë rrugë të gjithë së bashku në këtë shtëpi të madhe. Nga shtëpia jonë e përbashkët ku rëndon mbi supe trashëgimia më e çmuar politike, e cila ka trasuar rrugën e mbijetesës sonë kombëtare dhe të krijimit të shtetit më të ri të Europës, Republikës së Kosovës. Po e vazhdojmë këtë rrugë pikërisht aty ku kishte nisur me tri postulatet e shenjta: liri, pavarësi, demokraci! Dua që në fillim t’ju them faleminderit. Faleminderit të gjithëve për përzemërsinë, për gjithë mbështetjen dhe dashurinë që na dhatë në këtë rrugëtim të bashkimit tonë”, ka thënë Osmani.