Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit, Lumir Abdixhiku, sot dhe gjatë javës ka pritur në selinë qendrore të partisë përfaqësuesit e ambasadave të huaja në Kosovë.
Abdixhiku, nëpërmjet një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka pritur në takim të ngarkuarën me punë në Ambasadën e Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati, ambasadorin e Francës, Olivier Guerot, ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar, Jonathan Hargreaves dhe ambasadorin italian në Kosovë, Maurizio Antonini, njofton Dukagjini.
Abdixhiku, mes tjerash, bën të ditur se në këto takime kanë diskutuar për zhvillimet politike në vend dhe forcimin e partneriteteve teksa shton se për LDK-në bashkëpunimi me aleatët mbeter orientim i palëkundur politik e shtetëror.
“Në këto takime diskutuam për zhvillimet politike në vend, rrugëtimin euro-atlantik të Kosovës, forcimin e partneriteteve tona strategjike dhe rëndësinë e stabilitetit institucional për të ardhmen e Republikës. Për Lidhjen Demokratike të Kosovës, bashkëpunimi i ngushtë me aleatët tanë mbetet orientim i palëkundur politik e shtetëror. Kosova ka nevojë për miqësi të forta, partneritet të qëndrueshëm dhe një zë serioz e të besueshëm në raport me botën”, ka shkruar Abdixhiku.