Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar këtë të hënë gjatë mbledhjes së grupit parlamentar socialist lidhur me incidentin e ndodhur në Zvërnec, ku një protestues u keqtrajtua nga punonjës të një kompanie private sigurie pranë kantierit të një projekti turistik.
Rama tha se e kupton revoltën e qytetarëve dhe ndjen reagimin e tyre ndaj pamjeve të dhunshme, duke theksuar se edhe ai vetë do të reagonte në mënyrë të ngjashme nëse do të përballej me një situatë të tillë.
Ai e cilësoi aktin e dhunës ndaj protestuesit si të papranueshëm, por njëkohësisht mbrojti projektin duke theksuar se bëhet fjalë për një investim strategjik në interes të vendit.
“Për të gjithë ata që janë revoltuar e rreshtuar kundër meje pasi panë aktin e neveritshëm të tërheqjes zvarrë të një prej protestuesve në Zvërnec. Ju kuptoj shumë mirë, madje ju siguroj se në vendin tuaj po njësoj do revoltohesha e do rreshtohesha kundër qeverisë e ministrive. Do më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, në sy të policisë së shtetit tim, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë e të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë, e pastaj të thoshte policia se i zvarrituri u fut vetë.
Do kisha bërë më keq se ju, po të më thoshin se ajo tokë është e shtetit dhe se shteti po ua fal të huajve. Madje kam vënë re se është përhapur gjithandej me shumë helm nga pas edhe legjenda se shteti po ua hap tokën izraelitëve për të sjellë palestinezë. Po të më thoshin se ajo ishte zonë e mbrojtur dhe e hoqën për t’ia falur të huajve, po të më thoshin se në vend të flamingove aty do pastroheshin paratë e zeza të mafies ndërkombëtare, e të tjera, nga ato që ju kanë thënë, e ju i keni pastaj duke i shpërndarë, janë shkruar duke ngritur një dallgë zemërimi, duke bërë thirrje për të mbrojtur atdheun në rrezik”, tha Rama.
Kryeministri u ndal gjatë te debati publik rreth projektit në zonën e Zvërnecit dhe Nartës, duke deklaruar se sipas tij opinioni publik është ndikuar nga “informacione të pasakta dhe manipulime”.
Ai përmendi edhe reagimet e mediave të huaja, duke thënë se janë përdorur për të krijuar narrativë të gabuar mbi projektin.
Rama theksoi se toka në zonë nuk shitet, por shteti është “partner me investitorët”, të cilët sipas tij janë kompani serioze ndërkombëtare.
Ai shtoi se projekti synon zhvillimin e turizmit elitar dhe rritjen ekonomike të vendit.
“Nuk mund të besoj se nga ata që i thonë vetes myslimanë, që vetëm Allah e Kuran nuk kanë, sepse bëjnë çdo ditë krimin e ndaluar nga Kurani, për të helmuar njerëzit me shpifje. Po si mund të jem unë njëherë kundër jush dhe kundër vetes? Dhe si munden të jenë mediat greke aleatët tuaj të mbrojtjes së mjedisit? Imagjinojeni, pyeteni veten! Mediat greke që janë mbushur sot të gjitha me kauzën tuaj?
Thënë këto, dhe ndjesë nëse jam shumë i drejtpërdrejtë dhe mbase emocional, por kjo është ndjesia ime, sepse për mua këto janë ndjesi shumë të habitshme që më kanë bërë të mendoj t’ju përulem thellë dhe t’ju kërkoj ndjesë për të ikur në katund dhe t’ju lë me atë që do të zgjidhni vetë pastaj. Por kam zgjedhur të bëj atë që kam bërë gjithmonë, t’ju udhëheq drejt asaj Shqipërie që e dua po aq sa ju dhe po ashtu siç e doni ju.
Nuk kam premtuar që s’do të bëj gabime, por kam premtuar vetëm një gjë, që nuk do t’ju tradhtoj kurrë. Nuk është vendi këtu për t’ju shpjeguar të gjitha arsyet e këtij premtimi, por se si ju kanë manipuluar duke ju tërhequr për atdhetarinë dhe se si ju kanë kthyer në pjesë të një kurthi që i ngrihet kësaj partie dhe mua personalisht që prej ditës së parë, por që këtu, në këtë rast, është një kurth për të ardhmen e Shqipërisë. Unë kështu e shoh”, tha Rama.
Në zonë prej ditësh janë zhvilluar protesta nga qytetarë dhe aktivistë, të cilët kundërshtojnë ndërtimin e kompleksit turistik pranë lagunës së Nartës, duke ngritur shqetësime për dëmet e mundshme mjedisore.
Rama u shpreh se projekti nuk prek zonat e mbrojtura të kategorisë së lartë dhe se zhvillimi po bëhet në përputhje me ligjin, duke theksuar se laguna dhe habitatet natyrore janë të mbrojtura. Ai shtoi se projekti është rishikuar disa herë dhe është reduktuar për të respektuar kushtet mjedisore.
“Ajo tokë në Zvërnec nuk shitet. Ne duam që shteti shqiptar të jetë ortak me investitorët, që janë seriozë. Kjo është qeveria që ju përfaqëson ju. Të shiturit e jepnin Shqipërinë 1 euro. Nuk ka tokë-shtet aty. Copëza që mund të jetë shtet janë krejtësisht të papërfillshme. Fillimi i projektit ka qenë në vitin 2023. Bota mbarë flet për këtë projekt, për shkak se Jared Kushner e ka promovuar këtë projekt. Investitorët janë më të mirët në arenën ndërkombëtare. Projekti i vjetër me pallate është rrëzuar nga administrata shqiptare”, tha Rama.
“Po investohet nga Katari, një nga shtetet më të fuqishme ekonomike në botë. Power Holding është një nga kompanitë më serioze në rruzull. Investitorët kanë marrëveshje me brand-e ekskluzive, që janë në Paris, Venecia e do vijë dhe në Vlorë, nëse bashkë do u sigurojmë mirëseardhjen. Nëse do vazhdoni kështu, do vijojë tragjedia e Porto of Montenegro. Donte të bënte Portin e Durrësit dhe shkoi në Malin e Zi dhe atje ka më shumë vende pune dhe pagat janë më të larta.
Do zgjedhim që ta shohim Malin e Zi nga mbrapa apo do ecim bashkë me të tjerë drejt BE-së? Duroj dhunë edhe mbi kockat e tim eti, sepse jam këtu për ju dhe me ju. Nëse dhe ju mendoni si ata, vijoni. O do ta bëjmë Shqipërinë me atë vizion që më keni mbështetur ose doni të shkoni me Arlindo Dritëgjatin e Sazo Gurin”, tha Rama.