Ushtria amerikane ka thënë se ka nisur sulme “vetëmbrojtëse” ndaj Iranit dhe ka rrëzuar raketa balistike dhe dronë të qëlluar drejt anijeve dhe vendeve të Gjirit.
Sulmet në Ishullin Qeshm, në Ngushticën e Hormuzit, ishin “në përgjigje të sulmeve të tentuara nga Irani në të gjithë Lindjen e Mesme”, ka thënë Komanda Qendrore e SHBA-së (Centcom).
Irani ndërkaq ka thënë se kishte sulmuar bazat dhe helikopterët amerikanë në një “vend rajonal” duke përdorur raketa dhe dronë në hakmarrje. Centcom ka thënë se Teherani kishte lëshuar dy raketa drejt Kuvajtit dhe tri të tjera drejt Bahreinit, të cilat janë shkatërruar ose penguar.
Sulmet e fundit vijnë mes negociatave të ngecura për armëpushim, pasi bisedimet për një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës disamujore dështuan të përparonin gjatë fundjavës.
Centcom ka shtuar se sulmi në Ishullin Qeshm synonte një stacion kontrolli tokësor ushtarak iranian dhe se ushtria amerikane gjithashtu ka rrëzuar tre dronë sulmi që ishin lëshuar nga Irani drejt “marinarëve civilë që po kalonin me të drejtë ujërat rajonale”.
IRGC-ja ka thënë se “dëmtimi i sigurisë së Ngushticës së Hormuzit do të ketë një çmim të lartë për ushtrinë agresive amerikane”.
Irani ka sulmuar vazhdimisht objektiva në Bahrein dhe Kuvajt, ku ndodhen bazat ushtarake amerikane.