Gjykata Themelore në Gjakovë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore dhe ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit O. B., i dyshuar për veprat penale “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Prokurorisë, ngjarja ka ndodhur më 2 maj 2026, rreth orës 14:25, në terasën e një lokali “S.” në Gjakovë, pas një mosmarrëveshjeje të mëhershme mes të dyshuarit dhe të dëmtuarit A. D.
Dyshohet se fillimisht i pandehuri e ka sulmuar fizikisht të dëmtuarin duke e goditur me shqelm në gjoks, ndërsa më pas, kur ai është përpjekur të largohet, ka nxjerrë një pistoletë dhe ka shtënë një herë në drejtim të tij. Po ashtu, ai dyshohet se e ka goditur edhe me kokë, duke i shkaktuar lëndime trupore.
I dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes. Policia ka sekuestruar armën dhe një thikë.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Driton Sadiku, ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e paraburgimit.
Me këtë vendim, O. B. do të qëndrojë në paraburgim nga data 2 maj 2026 deri më 1 qershor 2026. Palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.