Presidenti i Francës, Emmanuel Macron mbërriti sot për një vizitë zyrtare në Mal të Zi, ku u prit nga presidenti Jakov Millatoviq.
Mbërritja e presidentit Macron përbën një nga ngjarjet më të rëndësishme diplomatike për Malin e Zi dhe një konfirmim të fortë të miqësisë së thellë, besimit dhe partneritetit me Francën, një shtet që është një nga themelet e Evropës së bashkuar, thuhet në njoftimin e kabinetit të Millatoviqit.
“Kjo vizitë përcjell një mesazh të qartë: Mali i Zi ka miq evropianë, ka mbështetjen e partnerëve më të rëndësishëm dhe ka vendin e vet në tryezën evropiane. Ajo konfirmon se rruga evropiane e vendit është e njohur si interes i përbashkët i Malit të Zi, rajonit dhe Evropës”, thuhet më tej në njoftim.
Liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor do të takohen më 5 qershor në Tivat, në Mal të Zi.
Samiti zhvillohet gjashtë muaj pas samitit të fundit në Bruksel, duke konfirmuar marrëdhëniet e BE-së me Ballkanin Perëndimor.
Samiti do të kryesohet nga presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, ndërsa mikpritës do të jetë presidenti i Malit të Zi.
Sipas njoftimeve të autoriteteve malazeze, përveç Macronit, në samit pritet të marrin pjesë edhe kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, kancelari gjerman Friedrich Merz, si dhe përfaqësuesja e lartë e BE-së për punët e jashtme dhe sigurinë, Kaja Kallas.
Tema e samitit është “Prosperiteti dhe stabiliteti i përbashkët i BE-së dhe Ballkanit Perëndimor”.
