Nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje ka pasur të drejtën për formimin e qeverisë pas zgjedhjeve, duke qenë fituese me 51 për qind të votave.
Por, Tahiri tha se procesi politik dhe konsultimet për zgjedhjen e presidentit kanë qenë “spektakël politik”, duke shtuar se që në fillim nuk është synuar një president unifikues.
Ai në Debat Plus përmendi edhe procesin e votimit për presidentin, duke thënë se ka pasur përpjekje për të imponuar një votim, i cili ka përfunduar me 63 vota.
“LVV i ka fitu 51 për qind dhe plotësisht ka pasur të drejtë ta merr qeverinë ta udhëheqë. Kosova ka shkuar në zgjedhje në ditën kur është konstituar Kuvendi. I gjithë procesi i konsultimit politik në mes të LVV takimeve që kanë ndodhur ka qenë një spektakël politik që nga fillimi është ditur që synimi nuk është me prodhu një kriter të një profili të një presidenti unifikues”, ka deklaruar ai.
Tahiri theksoi se në ditën e fundit është bërë e ditur se Glauk Konjufca ka qenë kandidat për president.