Gurakuç Kuçi, hulumtues i jashtëm i Institutit Octopus, vlerëson se deklarata e fundit e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitry Peskov, se presidenti serb Aleksandar Vuçiç “nuk është mik i Rusisë”, nuk përfaqëson një ndryshim real në raportet Moskë-Beograd, por një operacion të njohur dezinformues të tipit “Maskirovka”.
Në një analizë të titulluar “Maskirovka Ballkanike: Pse ‘distancimi’ i Moskës është vetëm një operacion për mbijetesën e regjimit të Vuçiçit”, Kuçi argumenton se deklarata e Peskovit synon t’ia heqë Vuçiçit etiketën e “vasalit rus” përballë opinionit publik perëndimor, ndërsa në të njëjtën kohë Kremlini vazhdon të theksojë partneritetin strategjik me Serbinë.
Sipas tij, regjimi në Beograd po përpiqet të shmangë një përplasje të drejtpërdrejtë me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa deklaratat për “distancim” nga Moska shërbejnë për të krijuar perceptimin se Serbia po ndjek një kurs më të pavarur. Kuçi thotë se kjo është një metodë që Rusia e ka përdorur edhe më herët, sa herë që presioni perëndimor ndaj Beogradit është rritur.
Analisti veçon edhe emërimin e Milosh Andjiqit në krye të Jugoimport SDPR, kompanisë kryesore shtetërore të industrisë ushtarake serbe, duke argumentuar se ky zhvillim dëshmon forcimin e lidhjeve ushtarake dhe të sigurisë mes Beogradit dhe Moskës. Sipas tij, fakti që Andjiq konsiderohet i afërt me Aleksandar Vulinin, figurë e sanksionuar nga SHBA-ja për lidhje me Rusinë, bie ndesh me narrativën e distancimit.
Kuçi vlerëson se strategjia e Vuçiçit mbështetet në tri shtylla kryesore: Kinën për investime dhe kapital, Rusinë për siguri dhe inteligjencë, si dhe Perëndimin për legjitimitet ndërkombëtar. Ai paralajmëron se Perëndimi nuk duhet të bjerë pre e asaj që e cilëson si “Maskirovka ballkanike”, pasi, sipas tij, strukturat e pushtetit në Serbi vazhdojnë të jenë të lidhura ngushtë me interesat strategjike të Moskës dhe Pekinit.