Një person në Deçan është shoqëruar në stacion policor pasi një armë zjarri i ka rënë nga brezi teksa po kalonte në vendkalimin e këmbësorëve.
Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari është rrëzuar gjatë kalimit të rrugës, ndërsa arma që mbante me vete ka rënë në tokë. Ngjarja është vërejtur nga zyrtarët policorë që ndodheshin në afërsi, të cilët kanë ndërhyrë menjëherë dhe e kanë dërguar personin për intervistim.
“Derisa i dyshuari mashkull kosovar ka qenë duke kaluar vendkalimin e këmbësorëve, i njëjti është rrëzuar dhe i ka rënë nga brezi një armë. Në afërsi kanë qenë policia, të cilët e kanë marrë personin e dyshuar dhe e kanë sjellë në stacion policor për intervistim”, thuhet në njoftimin e policisë.
Gjatë procedurave, policia ka konfiskuar një pistoletë dhe nëntë fishekë. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa arma dhe municioni janë sekuestruar si dëshmi materiale.