Policia e Kosovës ka njoftuar se gjatë realizimit të detyrave të rregullta policore në rajonin e Veriut ka gjetur dhe sekuestruar armë, municion dhe pajisje ushtarake në një shtëpi të pabanuar në fshatin Mala Jabuka të komunës së Zubin Potokut.
Siç njofton Policia, pas pranimit të një informacioni se në objekt mund të ndodheshin armë, njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë kryer kontrollin e nevojshëm.
Gjatë operacionit janë gjetur dhe sekuestruar një armë e tipit AK-47, dy karikatorë të zbrazët për këtë armë, 422 fishekë të kalibrit 7.62 milimetra, 13 fishekë të kalibrit të panjohur, një fishek i kalibrit 9×19 milimetra, dy granatahedhës (tromblonë) si dhe një uniformë ushtarake me emblemë serbe, njofton Dukagjini.
Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit penal për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Policia bëri të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar, ndërsa hetimet për identifikimin e personave përgjegjës dhe zbardhjen e plotë të rastit janë duke vazhduar.