Forcat e armatosura britanike kanë ndërhyrë dhe kanë hipur në një tanker nafte që dyshohet se i përket të ashtuquajturës “flotë hije” ruse, në Kanalin Anglez, në orët e para të së dielës.
Operacioni, që zgjati rreth gjashtë orë, u drejtua nga Mbretëria e Bashkuar dhe përfshiu komandot e Marinës Mbretërore si dhe oficerë të Agjencisë Kombëtare të Krimit.
Anija, e identifikuar si “Smyrtos” dhe që lundronte nën flamur të Kamerunit, u mor nën kontroll gjatë ndërhyrjes.
Sipas platformës së gjurmimit “Marine Traffic”, tankeri aktualisht ndodhet i ankoruar pranë brigjeve të Dorsetit, afër Weymouth-it, dhe po mbahet nën monitorim për arsye sigurie dhe mjedisore, raporton The Guardian.
Autoritetet britanike e konsiderojnë “Smyrtos” si pjesë të një rrjeti prej rreth 700 anijesh që, sipas tyre, transportojnë shumicën e eksporteve të naftës ruse, duke ndihmuar Moskën të anashkalojë sanksionet ndërkombëtare dhe të financojë luftën në Ukrainë.
Kryeministri britanik Keir Starmer tha se ai kishte urdhëruar ndërhyrjen, duke e cilësuar operacionin si një goditje ndaj atyre që mbështesin luftën e Vladimir Putinit.
“Ky operacion i suksesshëm i jep një tjetër goditje Rusisë dhe u dërgon mesazh të qartë atyre që financojnë luftën,” tha Starmer.
Ndërkohë, ministri i ri i mbrojtjes Dan Jarvis e quajti operacionin “të vështirë dhe profesional”, duke theksuar se Rusia varet nga kjo flotë për të mbajtur të ardhurat nga nafta gjatë konfliktit në Ukrainë.
Ministria e Mbrojtjes britanike njoftoi se operacioni u mbështet nga helikopterë ushtarakë, një avion patrullues P-8, si dhe anijet luftarake HMS Sutherland dhe HMS Ledbury, në bashkëpunim me Francën.
Sipas Londrës, ky është një nga operacionet më të rëndësishme të këtij lloji dhe vjen pas zgjerimit të sanksioneve britanike ndaj mbi 500 anijeve të lidhura me tregtinë e naftës ruse.