Qeveria britanike ka njoftuar një ndalim të përdorimit të rrjeteve sociale për personat nën moshën 16-vjeçare, në një masë që kryeministri Keir Starmer e ka përshkruar si “ndryshim real për fëmijët dhe të ardhmen e vendit”.
Duke prezantuar planin në Downing Street, Starmer tha se rrjetet sociale po ndikojnë negativisht tek fëmijët, duke rritur bullizmin online dhe duke ndikuar në shëndetin mendor të tyre. Sipas tij, masat e reja synojnë t’i mbrojnë të rinjtë dhe t’u japin më shumë siguri gjatë rritjes.
“Rrjetet sociale po i bëjnë fëmijët të palumtur, po e lehtësojnë bullizmin dhe mund të dëmtojnë shëndetin e tyre mendor,” u shpreh ai, duke theksuar se vendimi nuk është marrë lehtë, por është i domosdoshëm, raporton The Guardian.
Plani përfshin ndalimin e qasjes në platformat kryesore të rrjeteve sociale për të miturit, si dhe kufizime të veçanta për aplikacione të lojërave online, përfshirë heqjen e mundësisë së komunikimit me persona të panjohur.
Starmer pranoi se rrjetet sociale kanë edhe përfitime për të rinjtë, por theksoi se qeveria duhet të zgjedhë mes rreziqeve dhe mbrojtjes së fëmijëve. Ai krahasoi zbatimin e ligjit me ndalimet ekzistuese për alkoolin për të miturit, duke theksuar se shkeljet e mundshme nuk e zhvlerësojnë ligjin.
Sipas kryeministrit britanik, ligji pritet të miratohet deri në fund të vitit, ndërsa hyrja në fuqi e tij është planifikuar për pranverën e ardhshme. Starmer tha se masa do të rrisë sigurinë dhe mirëqenien e fëmijëve dhe do t’u japë atyre më shumë hapësirë për zhvillim pa ndikime të dëmshme online.