Zyrtarë të lartë amerikanë kanë bërë të ditur detaje të reja nga memorandumi i mirëkuptimit mes SHBA-së dhe Iranit, duke theksuar tre çështjet kryesore të marrëveshjes.
Sipas tyre, Irani është zotuar se nuk do të zhvillojë apo sigurojë armë bërthamore. Po ashtu, materiali i pasuruar i uraniumit do të “hollohet” në vend, nën mbikëqyrjen e Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA).
Kjo përbën ndryshim nga kërkesat fillestare të SHBA-së, të cilat parashikonin largimin e materialit jashtë vendit, raporton BBC.
Një tjetër pikë kryesore është Ngushtica e Hormuzit. Sipas zyrtarëve amerikanë, për 60 ditët e para kalimi i anijeve do të jetë pa tarifa, ndërsa më pas çdo rregullim i mundshëm do të negociohet mes Iranit dhe vendeve të rajonit.
Çështja e tretë lidhet me një fond rindërtimi prej rreth 300 miliardë dollarësh për Iranin. Megjithëse presidenti Donald Trump e ka cilësuar si “lajm të rremë”, zyrtarët amerikanë thonë se ky fond është pjesë e dokumentit, por SHBA nuk do të kontribuojë financiarisht dhe pjesëmarrja do të varet nga sjellja e Iranit.
Sipas tyre, marrëveshja do të shqyrtohet në detaje në ditët në vijim, ndërsa mbetet pyetja se çfarë përfitimesh konkrete ka marrë SHBA nga ky proces.