Irani ka mohuar deklaratat e zëvendëspresidentit amerikan JD Vance se Teherani ka pranuar rikthimin e inspektorëve bërthamorë ndërkombëtarë, pas raundit të parë të bisedimeve me SHBA-në për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare.
Pas negociatave të zhvilluara në Bürgenstock të Zvicrës, Vance tha se diskutimet me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA) mund të nisin “që sot”, duke shtuar se rikthimi i inspektorëve pritet të ndodhë së paku gjatë kësaj jave.
Megjithatë, Ministria e Jashtme e Iranit i hodhi poshtë këto pretendime. Zëdhënësi i saj, Esmail Baqai, deklaroi për agjencinë shtetërore IRNA se Teherani nuk ka marrë “asnjë angazhim të ri” lidhur me inspektimet bërthamore.
Ndërkohë, SHBA-ja ka miratuar një lehtësim të përkohshëm 60-ditor të sanksioneve, duke i mundësuar Iranit të eksportojë naftë dhe produkte petrokimike në dollarë amerikanë për herë të parë pas dekadash.
Sipas një deklarate të përbashkët të ndërmjetësuesve nga Katari dhe Pakistani, SHBA-ja dhe Irani kanë rënë dakord për një plan veprimi që synon arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare brenda 60 ditësh, raporton BBC.
Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, tha se në këmbim të lehtësimit të sanksioneve, Irani është zotuar të mbajë të hapur Ngushticën e Hormuzit dhe të lejojë rikthimin e inspektorëve të IAEA-së.
Megjithatë, autoritetet iraniane insistojnë se nuk kanë pranuar ndonjë angazhim të ri në këtë drejtim.