Policia e Kosovës ka sekuestruar një arsenal armësh dhe municioni gjatë një kontrolli të realizuar në një depo në Podujevë.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë, rreth orës 17:30, në dy valixhe të gjetura në një depo janë sekuestruar pesë armë të gjata të tipit AK-47, një armë e gjatë e modelit M12, një armë e gjatë me prodhues të panjohur, një pistoletë Glock, nëntë karikatorë dhe 144 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Hetimet paraprake kanë zbuluar se tre persona të dyshuar, shtetas të Kosovës, dyshohet se ishin organizuar për t’i transportuar armët drejt Shtutgartit të Gjermanisë.
Me urdhër të prokurorit, policia ka kryer bastisje në shtëpitë e të dyshuarve, mirëpo ata nuk janë gjetur në lokacionet e kontrolluara. Të dyshuarit aktualisht ndodhen në kërkim nga organet e rendit.
Rasti është iniciuar si “import, eksport, furnizim, transportim, prodhim, këmbim, ndërmjetësim ose shitjes e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse” dhe mbetet në procedurë hetimore.