Policia e Shtetit në Shqipëri ka bërë të ditur se 60 kursantë janë helmuar në Akademinë e Sigurisë.
Sipas njoftimit zyrtar, mbrëmë janë paraqitur për ndihmë mjekësore në QSUT 31 kursantë, me temperaturë dhe diarre, njofton Dukagjini.
Ndërkaq, 29 të tjerë janë paraqitur mëngjesin e sotëm në spital.
Po ashtu bëhet e ditur se një grup i posaçëm në bashkëpunim me AMP-në dhe nën drejtimin e Prokurorisë po kryen hetime për rastin, ndërkohë që mostrat e ushqimeve do t’u nënshtrohen analizave në AKU.
Kujtojmë se edhe muaj më parë një numër i madh i kursantëve ishte helmuar në menzën e Akademisë së Sigurisë.
“Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP) dhe nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive përkatëse. Ndërkohë, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka marrë mostra të ushqimeve të konsumuara, të cilat do t’i nënshtrohen analizave laboratorike për të përcaktuar shkakun e kësaj situate. Gjithashtu, të gjithë kursantëve u janë bërë analizat dhe pritet dalja e përgjigjeve për të përcaktuar shkakun. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”, thuhet në njoftim.
