Ministrja në detyrë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Fitore Pacolli, ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht pranimi i mbeturinave nga qytetarët në katër deponi sanitare të Kompanisë për Menaxhimin e Deponive në Kosovë (KMDK).
Sipas njoftimit, qytetarët tashmë mund t’i deponojnë mbeturinat në mënyrë të ligjshme dhe të sigurt në deponitë sanitare të Mirashit, Landovicës, Velekincës dhe Dumnicës.
Pranimi i mbeturinave do të bëhet çdo të shtunë, nga ora 08:00 deri në 16:00, duke u ofruar qytetarëve një mundësi të rregullt për largimin e mbeturinave, me synim parandalimin e hedhjes së tyre në natyrë apo në deponi ilegale.
“Qytetarët tashmë kanë një vend të ligjshëm dhe të sigurt për t’i deponuar mbeturinat. Nuk ka më arsye apo justifikim që ato të hidhen në natyrë ose në deponi ilegale”, ka theksuar Pacolli.
Ajo ka bërë thirrje për përgjegjësi të përbashkët në mbrojtjen e mjedisit, duke theksuar se ruajtja e ambientit është obligim i secilit qytetar.
“Të gjithë kemi për detyrë që ambientin ta ruajmë dhe Kosovën tonë ta bëjmë më të pastër e më të gjelbër”, është shprehur ministrja në detyrë.