Kanë nisur punimet për asfaltimin e rrugës Fshati i Vjetër – Komogllavë në Komunën e Ferizajt, projekt që po realizohet në kuadër të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Transportit dhe Komunës së Ferizajt.
Ministri i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka vizituar kantierin për të përcjellë nga afër fillimin e punimeve, duke e cilësuar projektin si të rëndësishëm për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe qarkullimit në këtë zonë.
Sipas njoftimit të ministrisë, vlera e kontratës për realizimin e projektit është 1.54 milionë euro, ndërsa Memorandumi i Bashkëpunimit ka vlerën 1.3 milionë euro. Për zhvillimin e punimeve gjatë vitit 2026, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka ndarë 600 mijë euro.
Ministria thekson se investimet në infrastrukturën rrugore synojnë përmirësimin e kushteve të qarkullimit, rritjen e sigurisë në trafik dhe ofrimin e një infrastrukture moderne për qytetarët.