Mediat në Kosovë po përballen me sfida gjithnjë e më të mëdha financiare, ndërsa përfaqësues të mediave dhe organizatave të gazetarëve vlerësuan se varësia nga tregu po cenon pavarësinë editoriale, cilësinë e gazetarisë dhe qëndrueshmërinë e redaksive.
Këto shqetësime u ngritën në konferencën “Bashkëpunimi Medial në Kosovë: Dialogu, Bashkëpunimi dhe e Ardhmja e Mediave të Pavarura”, të organizuar nga Hibrid.info, ku u theksua se mungesa e modeleve të qëndrueshme të financimit dhe vështirësitë në sigurimin e burimeve njerëzore po rrezikojnë funksionimin e mediave të pavarura.
Kryeredaktorja e Kosovo 2.0, Besa Luci, tha se mediat duhet të rishqyrtojnë modelet e financimit, pasi mbështetja vetëm në tregun e lirë e vështirëson ruajtjen e pavarësisë editoriale.
“Sa i përket qëndrueshmërisë financiare mendoj që jemi në një situatë kur duhet me i rimendu modelet e financimit edhe modelet e qëndrueshmërisë ekonomike të të mediave. Për një kohë shumë të gjatë edhe vazhdon me qenë e tillë, domethënë mediat mbështeten në treg, është ideja që mediat të mbështeten në tregun e lirë edhe ne sot po e shohim se kjo mbështetja vetëm në tregun e lirë e vështirëson shumë edhe të qenurit pastaj i pavarur për nga aspekti redaktorial”, tha ajo.
Luci shtoi se varësia nga tregu ka ndikuar edhe në rënien e cilësisë së gazetarisë.
“Kjo mbështetja vetëm në tregun e lirë në të njëjtën kohë ka kontribuar te ajo që sot e dimë domethënë që është një gazetari shumë e më shumë sensacionale, një gazetari e cila synon me qenë i pari, duke synu me qenë i pari ti gjatë gjithë kohës ki me ki me bë shumë gabime, ndoshta nganjëherë edhe me qëllim, nganjëherë edhe pa qëllim. Kjo ideja që me u varur vetëm në treg ka ka ndiku edhe në rënien e kualitetit të të vetë gazetarisë. Kështu që me insistu me e mirëmbajtur pavarësinë redaktoriale, mendoj që sot është tash po e them sfida më e madhe”, tha ajo.
Kryeredaktorja e portalit KoSSev, Tatjana Lazarević, tha se nuk do të vazhdonte punën nëse do t’i cenohej pavarësia editoriale.
“Në momentin kur ne nuk do të mund ta bëjmë punën tonë në mënyrë editoriale të pavarur, po e them në emrin tim personal, unë nuk do ta bëj më këtë punë. Në momentin kur kushdo të ndërhyjë në punën time editoriale. Tani po flas pikërisht për këto redaksi të vogla; unë i quaj, nuk e di sa është term i përshtatshëm, po e përsëris, media guerile, kur flasim për redaksitë tona të vogla në gjuhën serbe që përpiqen të punojnë sa më pavarësisht që është e mundur”, tha ajo.
Ajo paralajmëroi se redaksitë e vogla në gjuhën serbe rrezikojnë mbijetesën për shkak të mungesës së financave dhe burimeve njerëzore.
“Lista e problemeve nuk është e gjatë, është e shkurtër. Janë vetëm dy probleme. Dhe pikërisht këto dy probleme rrezikojnë që së shpejti të ndalojmë së punuari. Pra, kjo është hera e parë që e them publikisht se, nëse diçka nuk zgjidhet urgjentisht, unë nuk besoj se një redaksi e tillë në gjuhën serbe do të mbijetojë. Dy problemet kryesore janë, siç kanë theksuar shpesh kolegët, financat. Për vite me radhë unë në vend të parë kam vendosur burimet njerëzore, ndërsa tani do të them se burimet njerëzore dhe financat janë po aq të rëndësishme. E di se ky është një problem global dhe se gazetaria është një profesion që po shuhet, dhe se problemi ynë, qoftë në Mitrovicën e Veriut, Çagllavicë, Graçanicë apo Gorazhdevc, në këtë kuptim nuk është ndryshe”, tha ajo.
Lazarević tha se mediat e favorizuara nuk përballen me të njëjtat vështirësi si mediat e pavarura.
“Është e vërtetë që mediat globale janë në krizë për sa u përket burimeve njerëzore, financave dhe pavarësisë në punë. Megjithatë, personalisht mendoj se nuk ka krizë për mediat e favorizuara. Nuk e di si do të përkthehet kjo në shqip apo në anglisht, madje nuk jam e sigurt se e di termin e saktë në anglisht. Pra, mediat e favorizuara – ky është një trend botëror – aktualisht nuk kanë krizë në punën e tyre. E gjithë retorika për mbështetjen e mediave dhe e gjithë mbështetja nga qendrat e pushtetit, madje do të thosha edhe nga një pjesë e publikut, donatorët e mëdhenj dhe tregu, po drejtohet drejt mediave që kultivojnë një politikë editoriale të favorshme. Fatkeqësisht, kjo është tabloja e një pjese të mirë të mediave kryesore botërore, si dhe e mediave në Serbi dhe në Kosovë”, tha ajo.
Kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Xhemajl Rexha, tha se paqëndrueshmëria financiare po ndikon drejtpërdrejt në kushtet e punës së gazetarëve.
“Të theksojmë natyrisht në atë që gazetarët kanë si shqetësim në punën e tyre dhe vjen me temën kryesore të diskutimit që është qëndrueshmëria financiare e mediave dhe nga para. Tani ne në aspekt të mediave që raportojnë në shqip e gjithmonë e themi, me shumë krenari besoj, që Kosova ka pluralitet të jashtëzakonshëm medial në kuptim të ofertave të asaj çfarë lexuesit, shikuesit mund të pranojnë. Në kuptimin që ka së paku nëntë televizione nacionale që kanë programacion të ngjashëm të përgjithshëm, ka më shumë se dhjetë portale të mëdha, kthehemi, por ka shumë e shumë natyrisht duke pasur parasysh që s’ka gazeta”, tha ai.
Rexha tha se vështirësitë financiare po ndikojnë në lëvizjen e shpeshtë të gazetarëve nga një medium në tjetrin.
“Ideja e pluralitetit është që u jep mundësi gazetarëve që të provojnë ta gjejnë vendin më të mirë të punës nga numri i madh i gazetarëve të rinj që shumica janë gra në fakt, dhe kjo mundësi vjen pavarësisht moshës por edhe nga universitete private që kanë gazetarinë në programin e tyre. E në fakt shumë prej tyre e gjejnë punën derisa ende janë duke studiuar. Por ajo çfarë po ndodh me këtë vështirësi financiare dhe paqëndrueshmëri financiare të mediave është që këta gazetarë shpesh do të ndërrojnë shumë shpesh mediat e tyre. Pikërisht një prej këtyre arsyeve të mosqëndrueshmërisë financiare dhe nuk mund shumë prej tyre ta krijojnë një karrierë në të cilën karrierë të kenë një stabilitet në kuptim të zhvillimit të karrierës, por që nënkuptonte edhe stabilitetin financiar”, tha ai.
Ai shtoi se arsyet kryesore të largimit të gazetarëve nga mediat lidhen me mungesën e kontratave dhe parregullsitë në pagesa.
“Dhe arsyet pse gazetarët shqiptarë, pra të redaksive shqipe, ndryshojnë shumë shpesh mediat siç theksohet lidhen me mungesën e kontratave, me mungesën e mos pagesës së rrogave herë pas here, qoftë një mujori, qoftë në mënyrë pra përtej ligjit në kuptim të pagesave cash ndonjëherë, jo domosdoshmërisht me pagesa të rregullta të kontratave ose mospagesës së trustit pensional”, tha ai./EO