Zbulohet lidhja mes dy kërcënimeve të rreme për bombë në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, autori i dyshuar në Serbi

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka zbardhur lidhjen mes dy kërcënimeve të rreme për bombë që kishin në shënjestër Stacionin e Autobusëve në Prishtinë, duke identifikuar si të dyshuar një person që dyshohet se vepron nga territori i Serbisë.

Sipas komunikatës zyrtare, më 30 qershor, rreth orës 07:48, Qendra Operative e Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë në gjuhën serbe, ku është raportuar rrejshëm për vendosjen e një mjeti shpërthyes në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë.

Menjëherë pas sinjalizimit, njësitë policore kanë reaguar duke evakuuar qytetarët, siguruar perimetrin dhe duke aktivizuar të gjitha njësitë relevante, përfshirë njësitë për mjete shpërthyese, K9, hetuesit dhe ekipet emergjente. Në operacion kanë asistuar edhe zjarrfikësit dhe autoambulancat.

Pas kontrollit të detajuar, nuk është gjetur asnjë mjet shpërthyes dhe objekti është rikthyer në funksion normal.

“Policia e Kosovës njofton opinionin publik se më 30.06.2026, rreth orës 07:48, Qendra Operative e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës ka pranuar një telefonatë në numrin zyrtar, nga një person i cili ka komunikuar në gjuhën serbe, duke pretenduar në mënyrë të rreme se në Stacionin e Autobusëve në Prishtinë ishte vendosur një mjet shpërthyes (bombë).

Menjëherë pas pranimit të informatës, Policia e Kosovës ka reaguar sipas procedurave operative për raste të tilla. Njësitë patrulluese të Stacionit Policor Jugu kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, kanë evakuuar qytetarët, kanë siguruar perimetrin dhe kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për garantimin e sigurisë publike.

Njëkohësisht janë angazhuar njësitet e specializuara policore si: Njësia për Trajtimin e Mjeteve Shpërthyese, Njësia K9, hetuesit e stacionit policor, hetuesit rajonalë dhe njësitë e tjera relevante të Policisë së Kosovës. Në vendin e ngjarjes kanë asistuar edhe njësitë e zjarrfikësve, autoambulanca dhe Drejtoria e Emergjencave e Komunës së Prishtinës.

Pas kontrollit të plotë dhe të detajuar të objektit dhe zonës përreth nga njësitë e specializuara, nuk është gjetur asnjë mjet i dyshuar apo mjet shpërthyes. Pas përfundimit të procedurave të sigurisë, Stacioni i Autobusëve është rihapur dhe ka vazhduar funksionimin normal”.

Policia ka bërë të ditur se rasti është ndërlidhur me një tjetër kërcënim të rremë të datës 22 qershor 2026, që kishte të njëjtin objektiv. Hetimet e Drejtorisë së Hetimeve të Krimeve Kibernetike kanë konstatuar se të dy telefonatat janë bërë nga i njëjti numër telefonik në Serbi, duke e lidhur kështu autorësinë e dyshuar të rasteve.

“Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprën penale “Lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar. Ky rast është ndërlidhur drejtpërdrejt me kërcënimin e rremë të datës 22.06.2026, i cili kishte në shënjestër të njëjtin objekt. Hetimet intensive të zhvilluara nga Policia e Kosovës, përkatësisht nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, kanë rezultuar se të dy telefonatat janë realizuar nga i njëjti numër telefonik në Serbi.

Gjithashtu, gjatë analizave teknike dhe hetimore janë siguruar prova dhe të dhëna të tjera elektronike që ndërlidhin këto raste me njëri-tjetrin dhe që tashmë janë pjesë e procedurës hetimore. Policia e Kosovës ka ndërtuar kapacitete profesionale dhe teknike të avancuara në fushën e hetimeve kibernetike dhe gjurmimit të komunikimeve kriminale përfshirë edhe rrjetet sociale. Përvoja ka dëshmuar se autorët që tentojnë të fshihen pas telefonatave anonime, aplikacioneve elektronike, profileve të rreme apo veprimit nga shtete të tjera identifikohen dhe asnjë autor nuk mbetet anonim”, thuhet në njoftim.

Rasti është iniciuar për veprën penale “lajmërimi apo kallëzimi i rremë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë në bashkëpunim ndërkombëtar për identifikimin e plotë të autorit dhe sjelljen e tij para drejtësisë.

“Policia e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet ligjore, profesionale dhe mekanizmat e bashkëpunimit ndërkombëtar për të identifikuar dhe sjellë para organeve të drejtësisë çdo person që tenton të cenojë sigurinë publike dhe të krijojë frikë te qytetarët e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës i falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e treguar gjatë ndërmarrjes së masave të sigurisë. Njëkohësisht, ftojmë qytetarët që të mos bien pre e dezinformatave apo e përpjekjeve për të krijuar panik. Çdo informacion që lidhet me sigurinë trajtohet me seriozitetin maksimal dhe sipas standardeve më të larta profesionale, me qëllimin e vetëm; mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së çdo qytetari. Policia e Kosovës mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar rendin publik, për të mbrojtur jetën dhe pronën e qytetarëve dhe për të luftuar pa kompromis çdo veprim kriminal që synon të cenojë sigurinë dhe qetësinë publike në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftim.

Të fundit nga rubrika