Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka reaguar pas hyrjes në fuqi të pagës minimale prej 500 eurosh, duke theksuar se kjo është rritja e katërt gjatë qeverisjes së tij.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti kujtoi se paga minimale kishte mbetur e pandryshuar për më shumë se një dekadë, duke nisur nga viti 2011, kur ishte caktuar në 130 euro për punëtorët nën moshën 35-vjeçare dhe 170 euro për ata mbi këtë moshë.
“Ndërkaq, gjatë qeverisjes sonë u ngrit katër herë: nga 130 e 170 euro në 250 euro, mandej në 350 dhe së fundi në 425 euro. E sot paga minimale u bë 500 euro. Prej kësaj rritjeje do të përfitojnë rreth 150 mijë punëtorë të sektorit privat”, ka shkruar Kurti.
Sipas tij, për më shumë se një dekadë para qeverisjes së tij paga minimale kishte mbetur e ulët dhe e pandryshuar, ndërsa gjatë mandatit të tij është trefishuar.
“Rritjen dhe zhvillimin ekonomik të Republikës sonë do ta përcjellim gjithnjë me shtim të mirëqenies për të gjithë. Urime të gjithëve!”, ka përfunduar Kurti në postimin e tij.