Mbi 1.000 persona kanë humbur jetën në Spanjë si pasojë e valës së fundit të të nxehtit që përfshiu Evropën, ndërsa vendi ka regjistruar gjashtëmujorin e parë më të nxehtë që nga fillimi i matjeve zyrtare.
Sipas Institutit Shëndetësor Carlos III, të paktën 1.028 vdekje janë lidhur me temperaturat ekstreme gjatë valës së të nxehtit. Ky numër është më shumë se dyfishi i 407 rasteve të vdekjeve të regjistruara gjatë qershorit të vitit 2025.
Agjencia Kombëtare e Meteorologjisë e Spanjës (Aemet) bëri të ditur se gjashtë muajt e parë të vitit 2026 kanë qenë më të nxehtët e regjistruar ndonjëherë në vend, me temperatura mesatarisht 1.6 gradë Celsius mbi normalen.
Sipas Aemet, shtatë gjashtëmujorët e parë më të nxehtë janë regjistruar gjatë dhjetë viteve të fundit, ndërsa qershori i vitit 2026 u rendit si i dyti më i nxehtë në histori, me temperatura mesatarisht 3.2 gradë Celsius mbi normën sezonale.
Ndërkohë, grupi shkencor **World Weather Attribution** vlerësoi se vala e të nxehtit që përfshiu Evropën në fund të qershorit ishte më e ashpra e regjistruar ndonjëherë për këtë periudhë dhe se një ngjarje e tillë do të kishte qenë pothuajse e pamundur pa ndikimin e ndryshimeve klimatike.