29 mijë e 238 faqe është numri i transkriptave të gjykimit më të rëndësishëm që është zhvulluar në Dhomat e Specializuara për Kosovën, kundër ish krërëve të Ushtrisës Çlirimtare të Kosovës.
Për shqyrtimin e tyre e të qindra materialeve të tjera që kanë në dorë trupi gjykues, u vendos që shpallja e aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit, të bëhet më 16 shtator të këtij viti.
“Trupi Gjykues shpjegoi se, në përputhje me Rregulloren, kishte gjykuar se një zgjatje e mëtejshme e afatit ishte absolutisht e domosdoshme për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe sasisë së madhe të provave që Trupit Gjykues i duhet të shqyrtojë. Trupi Gjykues mori dëshmi dhe prova nga 270 dëshmitarë (me gojë dhe me shkrim), pranoi 5467 prova materiale, ndërsa transkripti i gjykimit ka 29.238 faqe. Trupi Gjykues gjykoi se kjo zgjatje e afatit përligjej nga nevoja për të garantuar një vlerësim të arsyetuar, tërësor dhe të drejtë të provave, si dhe nga detyrimi për të dhënë një arsyetim me shkrim që i pasqyron me saktësi ato prova. Pushimi i gjykatës nuk kishte ndikim në caktimin e datës për shpalljen e Aktgjykimit. Gjatë periudhës së pushimit, Gjykata është plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha njësitë e DHSK-së.”
Por, sipas avokatit të Artan Qerkini një shtyerje e tillë ishte e paarsyeshme pasi që trupi gjykues ka pasur kohë mjaftueshëm për të vendosur.
“Trupi gjykues e ka pasur vetëm këtë lëndë vetëm këtë çështje në punë dhe është e pamundur që gjyqtarët gjatë zgjatjes së gjykimit të mos i vlerësojnë provat mirëpo nëse shtyrja do kishte ndodhur në kohën kur të pandehurit janë duke u mbrojtur në liri atëherë nuk do ishte ndonjë shkelje e madhe, nje vazhdimisht kemi potencuar faktin se është shkel parimi i gjykimit brenda afatit të arsyeshëm dhe kjo vetëm sa po e vazhdon këtë agoni, prandaj mendoj se gjykata është dashur që brenda afateve të përcaktuara më herët të dal me një verdikt”, ka thënë Qerkini.
Të njëjtën e thotë edhe avokati Skender Musa, i cili thotë se është dashur të shqyrtohet edhe njëherë masa e paraburgimit ndaj katërshës së UÇK-së.
“Duke e pas parasysh materialin e shumt shtyerja është e drejtë edhe e arsyeshme mirëpo tash Gjykata nëse don me tregu që është Gjykate që vepron në bazë të ligjit ta shqyrtojë masën e paraburgimit edhe pse diku 60 ditë është shtyerja kur dihet se janë refuzu të gjitha kërkesat për lirimin e tyre”, ka thënë Musa.
Gjatë fjalëve përfundimtare, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar burgim prej 45 vjetësh ndaras për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, por avokatët mbrojtës kanë argumentuar për lirimin e tyre.
Ish-krerët e UÇK-së, akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, e janë nën masën e paraburgimit që nga viti 2020, ndonëse gjykimi për ta nisi në prillin e vitit 2023.