Ahmeti: Pos UDB-së, asnjë nuk kishte interes për vrasjen e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka deklaruar se, sipas tij, vetëm UDB-ja jugosllave kishte interes për eliminimin e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës.

Ahmeti, në emisionin “Debat Plus”, në ciklin “Dosjet”, ka folur për rrethanat e vrasjes së tre veprimtarëve shqiptarë dhe për përpjekjet për bashkimin e organizatave politike.

“Ne na ka shërbyer momenti më i fortë, që Jusufi e Kadriu ulen për bashkim-shkrirje të organizatave. Dhe pikërisht në këto bisedime, në këto negociata për bashkim-shkrirje, ndodh edhe momenti tragjik, ku UDB-a e eliminon fizikisht Jusufin, Kadrin, Bardhoshin, që të mos arrihet bashkim-shkrirja e organizatave”, tha Ahmeti.

Sipas tij, në atë periudhë ekzistonin disa organizata që kishin pikëpamje të përafërta për çështjen kombëtare shqiptare.

“Ibrahim Kelmendi drejtonte ‘Frontin e Kuq’, me gazetën, organin e vet ‘Bashkimi’, që edhe ‘Bashkimi’ qarkullonte në Kosovë. Ne si grupe që ishim shpërndanim edhe ‘Lirinë’, edhe ‘Bashkimin’, edhe ‘Zërin e Kosovës’, sepse nuk kishte dallime në pikëpamje, nuk kishte dallim në trajtim të çështjes dhe të kërkesave”, u shpreh ai.

Ahmeti tha se kjo periudhë ishte e vështirë për shkak të ndarjeve dhe përplasjeve brenda lëvizjes kombëtare.

“Kjo është periudha nga më të vështirat që ka pasur lëvizja kombëtare. Me shumë debate, me shumë ndarje, me shumë përplasje. Mirëpo, nga e gjithë kjo situatë u përfitua që gabimet të mos përsëriten dhe në vazhdimësi lëvizja ka shkuar duke u konsoliduar”, deklaroi Ahmeti.

Ai foli edhe për themelimin dhe konsolidimin e Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.

“Lëvizja Popullore për Republikën e Kosovës e merr si datë të unifikimit momentin kur vritet Jusufi, më 17 janar 1982. Ky është momenti i bashkimit”, tha Ahmeti.

I pyetur nëse, përveç UDB-së, mund të ketë pasur persona të tjerë që kishin interes për vrasjen e Jusuf Gërvallës dhe Kadri Zekës, Ahmeti ishte i prerë në përgjigjen e tij.

“Pos UDB-së, asnjë nuk ka pasur interes. Edhe nëse mund të ketë pasur dikush zili për organizimin, aftësinë, shkathtësinë e Jusufit, Kadriut, Bardhoshit, nuk mund të ushtrojë këtë akt mizor. Interesi më i madh për eliminimin fizik dhe për hapjen e lëvizjes kombëtare ka qenë vetëm interesi i UDB-së jugosllave”, tha ai.

Ahmeti komentoi edhe dyshimet e ngritura nga familjarë të Jusuf Gërvallës ndaj disa personave, duke thënë se nuk dëshiron të bazohet në teori konspirative.

“Unë nuk dua të nisem për paragjykime, për teori konspirative, sepse nuk i shërbejnë të vërtetës. Po, që Saimie Jusufi ka pasur interes të vrasë bashkëshortin, të vrasë shokun, në radhë të parë Saimia e ka pasur shok Kadri Zekën, asnjë laps nuk e kap këtë punë”, deklaroi Ahmeti.

“Saimia ka qenë një patriote revolucionare, nuk është ndarë kurrë nga organizimi, nuk i është shmangur kurrë organizimit dhe sakrificës”, shtoi ai.

Shija e redaktorit

Kosova pret Austrinë në “Fadil Vokrri”, synon fitoren për kreun...

Përfaqësuesja e Kosovës përballet sonte me Austrinë në stadiumin “Fadil Vokrri”, në kuadër të ndeshjes së katërt të Grupit B3 në Ligën e Kombeve....

“Shkruaj, vizato dhe fito”, Shtëpia Botuese “Dukagjini” ndan tre çmime...

Kreativiteti në shkrim dhe vizatim do t’u shpërblehet këtë të shtunë. Në kuadër të Panairit të Librit për fëmijë u ndanë edhe çmimet nga Shtëpia...

Një dekadë nga shenjtërimi i Nënë Terezës, simbolit botëror të...

Dhjetë vjet më parë, Nënë Tereza u shpall shenjtore nga Papa Françesku, duke u nderuar për veprën e saj të jashtëzakonshme në shërbim të...

Të fundit nga rubrika