Irani ka nisur disa ditë zie publike dhe ceremoni mortore për ish-Udhëheqësin Suprem, Ajatollah Ali Khamenei, më shumë se katër muaj pasi ai u vra në sulmet e kryera nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Trupi i ish-Ajatollahut do të vendoset për homazhe në Grand Mosalla në Teheran duke filluar nga e premtja, përpara se të varroset të enjten e ardhshme në qytetin e tij të lindjes, Mashhad, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.
Autoritetet iraniane kanë bërë të ditur se presin pjesëmarrjen e 12 deri në 20 milionë njerëzve, duke e cilësuar ceremoninë si “funerali i shekullit”.
Kjo ndodh në një kohë kur Irani dhe Shtetet e Bashkuara po respektojnë një armëpushim të brishtë, pas nënshkrimit të një marrëveshjeje paraprake në qershor për t’i dhënë fund konfliktit mes tyre.
Ceremonitë gjashtëditore do të nisin të shtunën në orën 06:00 me orën lokale në Imam Khomeini Mosalla në Teheran, ku qytetarët do të kenë mundësi të bëjnë homazhe deri të dielën pasdite.
Funerali zyrtar do të zhvillohet të shtunën në Teheran dhe do të organizohet nga Korpusi Mohammad Rasulullah. Komandanti i tij, Hassan Hassanzadeh, tha se arkivoli i Khameneit do të vendoset mbi një platformë të ngritur dhe se hyrja e vizitorëve do të organizohet në mënyrë që secili të mund të kryejë homazhet brenda 15–20 minutash.
Trupi i Khameneit do të qëndrojë për tre ditë në Grand Mosalla, së bashku me trupat e disa anëtarëve të familjes së tij, të cilët gjithashtu humbën jetën në sulmet amerikane dhe izraelite të muajit shkurt.
Autoritetet kanë urdhëruar mbylljen e institucioneve publike dhe private në Teheran nga e shtuna deri të hënën. Gjithashtu, qendra e qytetit do të jetë e mbyllur për shumicën e automjeteve private, ndërsa hapësira ajrore mbi Teheran do të jetë pjesërisht e mbyllur nga e premtja dhe plotësisht e mbyllur të hënën.
Të martën, ceremonitë do të zhvendosen në qytetin Qom, ku një klerik i lartë shiit do të udhëheqë lutjet mortore në Jamkaran, një nga vendet më të rëndësishme fetare në Iran.
Të mërkurën, trupi i Khameneit do të dërgohet në Najaf të Irakut. Pas një procesioni pranë faltores së Imam Aliut, ceremonitë do të vazhdojnë në Karbala, përpara se trupi të kthehet në Iran.
Zyrtarët iranianë thanë se aktivitetet në Irak organizohen edhe me kërkesë të grupeve irakiane. Analistët i konsiderojnë ato si dëshmi të ndikimit të Khameneit në botën myslimane shiite dhe të lidhjeve fetare e politike të Iranit në rajon.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, vizitoi Bagdadin për të koordinuar organizimin e ceremonive, duke theksuar se funerali ka një “rëndësi simbolike”.
Të enjten, Ajatollah Ali Khamenei do të varroset në qytetin e tij të lindjes, Mashhad, pranë faltores së Imam Rezës, mauzoleut të imamit të tetë të islamit shiit dhe vendit më të rëndësishëm të pelegrinazhit në Iran, i cili vizitohet çdo vit nga miliona besimtarë.