Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim lamtumirës ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher.
Përmes një njoftimi, Haxhiu ka bërë të ditur se e ka falënderuar ambasadorin zviceran për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.
“Sot prita në takim lamtumirës Ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher. E falënderova për bashkëpunimin gjatë mandatit të tij dhe për angazhimin në forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona”, ka shkruar Haxhiu.
Ajo ka theksuar se raportet ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës janë të ndërtuara mbi lidhje të thella historike dhe njerëzore, duke përmendur edhe rolin e diasporës kosovare.
“Kosova dhe Zvicra kanë lidhje të thella, të ndërtuara edhe nga breza të bashkatdhetarëve tanë që Zvicrën e kanë bërë shtëpinë e tyre të dytë”, ka deklaruar Haxhiu.
Në fund, ushtruesja e detyrës së Presidentes i ka uruar ambasadorit Sprecher suksese në angazhimet e ardhshme, duke shprehur mirënjohje për kontributin dhe miqësinë e tij ndaj Kosovës.