Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka pritur në takim komandantin e misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, gjeneralmajorin Özkan Ulutaş.
Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, në fillim të takimit, i cili u zhvillua në ditën e certifikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, gjeneralmajori Ulutaş e uroi Kurtin për fitoren në zgjedhjet e 7 qershorit.
Gjatë takimit u diskutua për zhvillimet aktuale politike, si dhe për situatën e sigurisë në Kosovë dhe rajon.
Po ashtu, bashkëbiseduesit vlerësuan rëndësinë e angazhimit të përbashkët për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit, ndërsa diskutuan edhe për bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe KFOR-it, si dhe për mundësitë e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi.