Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka konfirmuar se samiti i ardhshëm i NATO do të mbahet në Tiranë.
Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale nga Ankara, ku po zhvillohet samiti i sivjetmë i aleancës, Rama hodhi poshtë raportimet se organizimi i samitit në Tiranë është vënë në pikëpyetje.
Ai ironizoi këto raportime, duke deklaruar se ka përfunduar koha kur, sipas tij, “të tjerët bënin ç’të donin me Shqipërinë”, ndërsa ritheksoi se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në kryeqytetin shqiptar.
“Po si thanë që samiti nuk do të bëhet në Shqipëri? Kështu thanë ë? Epo, ka ikur ajo kohë. Ka ikur ajo kohë kur të tjerë bënin ç’të donin me Shqipërinë. Tash, Shqipëria bën atë që thotë dhe thotë atë që bën… kështu që samiti i ardhshëm do të jetë në Tiranë”, ka deklaruar Rama.
Mbajtjen e samitit të ardhshëm në Shqipëri e konfirmoi edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.
Më herët, agjencia Reuters raportoi se samiti i ardhshëm i NATO-s, i planifikuar të zhvillohet në Shqipëri, ishte vënë në pikëpyetje për shkak të shqetësimeve lidhur me shpenzimet e ulëta për mbrojtjen nga disa vende anëtare dhe përpjekjeve për të shmangur një përplasje me presidentin amerikan Donald Trump.
NATO-ja zakonisht organizon një samit çdo vit, ku liderët e vendeve anëtare diskutojnë çështjet kryesore të sigurisë dhe mbrojtjes.