Oda e Avokatëve të Kosovës ka njoftuar se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan dhe transferimi i personave që kanë qenë në këtë qendër drejt institucioneve të tjera korrektuese.
Ky objekt do të shfrytëzohet në kuadër të marrëveshjes për të burgosurit nga Mbretëria e Danimarkës. Marrëveshja me Danimarkën, parasheh që shteti danez t’i marrë me qira të 300 qeli burgu në Kosovë.
“Oda e Avokatëve të Kosovës është njoftuar zyrtarisht nga Shërbimi Korrektues i Kosovës se ka filluar procesi i mbylljes së Qendrës së Paraburgimit në Gjilan, në kuadër të zbatimit të Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e këtij objekti për ekzekutimin e dënimeve të shqiptuara nga autoritetet daneze. Sipas njoftimit zyrtar, tashmë ka filluar transferimi gradual i personave të privuar nga liria nga Qendra e Paraburgimit në Gjilan drejt institucioneve të tjera korrektuese, proces i cili do të zhvillohet në faza, në përputhje me vlerësimet e sigurisë, kapacitetet akomoduese dhe nevojat operative të Shërbimit Korrektues të Kosovës”, thuhet në njoftim.