Pishina e Gërmisë do të rihapet për qytetarët nga sot, pasi analizat e kryera nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) kanë konfirmuar se cilësia e ujit është brenda standardeve.
Lajmin e ka bërë të ditur të premten NPL “Sport Marketing”, e cila njoftoi se rezultatet e analizave tashmë janë pranuar dhe se uji në pishinë ka rezultuar i pastër.
“Ashtu siç edhe kemi pritur, uji në pishinën e Gërmisë i pastër si loti”, thuhet në njoftimin e ndërmarrjes.
NPL “Sport Marketing” ka falënderuar IKSHPK-në për përfundimin e analizave, duke vlerësuar institutin për realizimin e tyre dhe publikimin e rezultateve në një kohë të shkurtër.
Me këtë konfirmim, pishina e Gërmisë rikthehet në funksion dhe do të jetë e hapur për vizitorët nga dita e sotme.