Dy persona janë vrarë dhe disa të tjerë janë plagosur pasi të paktën dy persona të armatosur kanë shkëmbyer zjarr mes turmës prej rreth 13 mijë personash në festivalin më të madh latin në rrugë në Kanada, në Toronto, të shtunën, njoftoi policia.
Gjithsej gjashtë persona janë qëlluar me armë, ndërsa disa të dyshuar besohet se janë ende në arrati pas të shtënave në festivalin “Salsa on St. Clair”, bëri të ditur zëvendës-shefi i Policisë së Torontos, Frank Barredo, gjatë një konference për media të shtunën në mbrëmje.
Sipas tij, të dy viktimat që humbën jetën ishin burra, ndërsa katër personat e plagosur janë dërguar në spitale me “lëndime serioze”.
Hetuesit kanë izoluar tri skena të krimit dhe kanë sekuestruar dy armë zjarri. Megjithatë, policia bëri të ditur se aktualisht nuk ka kërcënim të mëtejshëm për sigurinë publike.
“Duket se bëhet fjalë për një shkëmbim zjarri mes dy personave që kishin në shënjestër njëri-tjetrin”, tha Barredo, duke shtuar se sulmi “vendosi në rrezik një numër të madh njerëzish pa dallim”.
Pamjet televizive treguan pjesëmarrës të festivalit duke ikur me vrap nga zona e ngjarjes, ndërsa policia kishte rrethuar vendin me shirita sigurie. Në zonë u panë dhjetëra automjete policie, mjete të blinduara dhe ambulanca që shkuan drejt vendit të ngjarjes.
Joanna Lavoie, gazetare e mediumit kanadez CP24, e cila ishte pjesëmarrëse në festival, tha se “atmosfera ndryshoi menjëherë” pasi u dëgjuan të shtënat.
Ajo i tha CP24, partner i CNN, se pa një grua që dukej se ishte qëlluar dhe kishte pësuar plagë të rënda.
“Askush nuk mund ta besonte dhe të gjithë ishin të frikësuar. Ishte një situatë tmerruese. Kemi ardhur këtu për t’u argëtuar… nuk e prisnim që të ndodhte diçka e tillë dhe ishte gjëja e fundit që prisnim”, tha Lavoie.
Valerie Rodriguez i tha agjencisë Associated Press se ishte ulur jashtë një restoranti kur dëgjoi britma dhe pa njerëz duke vrapuar.
“Shumë njerëz na thanë të shtriheshim në tokë”, tregoi ajo.
Policia bëri të ditur se e kishte siguruar vendin e ngjarjes rreth një orë pas fillimit të të shtënave, por vazhdoi t’u kërkonte qytetarëve që të qëndronin larg zonës në pjesën qendrore të Torontos, ku festivali shumëditor që promovon kulturën latine mbahet çdo vit prej 22 vitesh, sipas organizatorëve.
Kryetarja e Torontos, Olivia Chow, e dënoi sulmin me armë zjarri, duke e cilësuar si “një akt të pamatur dhe të neveritshëm dhune në një festival të mbushur me njerëz”.
Ajo premtoi se autoritetet do të punojnë pa u ndalur për identifikimin e personave përgjegjës.
“Do të sigurohem që Policia e Torontos të ketë të gjitha burimet e nevojshme për të gjetur përgjegjësit dhe ata do të vazhdojnë të punojnë gjatë gjithë kohës për të larguar armët nga rrugët tona”, tha Chow në një deklaratë të publikuar në platformën X.
Chow dhe policia u kanë bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve të festivalit që kanë pamje filmike ose informacione rreth ngjarjes që të kontaktojnë autoritetet.
Kryeministri i Kanadasë, Mark Carney, tha në një deklaratë se është “i tmerruar” nga sulmi vdekjeprurës në festivalin e mbushur me njerëz në Toronto.
“Lutjet e mia janë me familjet që po vajtojnë humbjen e të dashurve të tyre… dhe me të gjithë ata që janë prekur nga kjo ngjarje e tmerrshme”, shkroi Carney.
Edhe pse dhuna vdekjeprurëse me armë zjarri është më pak e zakonshme në Kanada krahasuar me SHBA-në, ajo vazhdon të shkaktojë pasoja të rënda në komunitete.
Më pak se tri javë më parë, vendi u trondit nga një tjetër sulm masiv me armë, kur një person i armatosur hapi zjarr në Montreal. Një përplasje e mëvonshme me policinë la të vdekur dy persona në mes të ditës dhe shënoi herën e parë në dy dekada që një oficer policie në Montreal humbi jetën gjatë kryerjes së detyrës.
Sulmi ndodhi në një vend ku ligjet për armët janë dukshëm më të rrepta krahasuar me SHBA-në dhe ku sulmet masive me armë janë më të rralla.
Pas sulmit më vdekjeprurës me armë në historinë e Kanadasë, në Nova Scotia në vitin 2020, ku u vranë 22 persona, qeveria vendosi reforma të rëndësishme dhe ndaloi disa lloje të armëve të stilit ushtarak./CNN