Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka parandaluar sot një tentim për futjen e sendeve të kundërligjshme në Qendrën Korrektuese të Dubravës, në kuadër të një aksioni të koordinuar të sigurisë.
Sipas njoftimit të SHKK-së, aksioni është zhvilluar pas informacioneve të siguruara nga Njësia e Inteligjencës Korrektuese (NJIK), e cila në bashkëpunim me Departamentin e Sigurisë të Qendrës Korrektuese të Dubravës dhe institucionet e tjera të sigurisë ka realizuar një bastisje të planifikuar.
Gjatë kontrollit, zyrtarët korrektues kanë gjetur dhe sekuestruar gjashtë telefona mobilë, si dhe rreth 480 gram substancë të dyshuar.
“Gjatë bastisjes, zyrtarët korrektues gjetën dhe sekuestruan gjashtë telefona mobilë dhe rreth 480 gram substancë të dyshuar”, thuhet në njoftimin e SHKK-së.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Policia e Kosovës, e cila ka ndërmarrë veprimet e mëtejshme procedurale dhe ka sekuestruar materialet e gjetura, ndërsa Shërbimi Korrektues i Kosovës ka nisur hetimet e brendshme për zbardhjen e rastit.
SHKK ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e kontrabandës dhe forcimin e sigurisë në të gjitha institucionet korrektuese të vendit.