Për herë të parë në histori të Kupës së Botës, katër kombëtaret që kryesojnë renditjen botërore të FIFA-s kanë siguruar njëkohësisht vendin në gjysmëfinale.
Spanja (e para në renditjen e FIFA-s), Argjentina (e dyta), Franca (e treta) dhe Anglia (e katërta) kanë përfituar edhe nga ndryshimi i bërë nga FIFA për formatin e shortit të Botërorit 2026.
Për të shmangur përballjet mes favoritëve para fazës së gjysmëfinaleve, FIFA i vendosi katër ekipet në pjesë të ndryshme të skemës së turneut, duke krijuar dy rrugë të ndara drejt finales.
Megjithatë, ky plan do të funksiononte vetëm nëse këto kombëtare do të fitonin grupet e tyre – gjë që të katër ekipet e realizuan.
Si pasojë e këtij vendosjeje, Spanja dhe Argjentina nuk mund të përballeshin me njëra-tjetrën para finales, ndërsa Anglia dhe Franca u vendosën në anë të kundërta të fazës me eliminim direkt, me mundësi për t’u përballur me Spanjën ose Argjentinën vetëm në gjysmëfinale.
FIFA e justifikoi ndryshimin me synimin për të ruajtur “balancën konkurruese”, duke krijuar “dy rrugë të ndara drejt gjysmëfinaleve”.
Tashmë, përballjet e gjysmëfinaleve janë Francë – Spanjë të martën dhe Angli – Argjentinë të mërkurën.
Një sistem i ngjashëm përdoret edhe në turne të tjera sportive, si në turneun e tenisit Wimbledon dhe në formatin e ri të Ligës së Kampionëve, ku ekipet e renditura mbahen larg njëra-tjetrës në fazat e hershme.
Renditja botërore e FIFA-s u krijua në vitin 1994, por nuk u përdor për përcaktimin e shortit në atë Botëror. Në disa edicione të mëparshme, ekipet e katër vendeve të para në renditje nuk arritën as të kalonin fazën e grupeve. Kjo ndodhi me Belgjikën në vitin 2022, Gjermaninë në 2018, Spanjën në 2014, Italinë në 2010 dhe Francën në 2002.
Para Botërorit 2026, përballjet e hershme mes favoritëve nuk ishin një problem i madh, pasi në formatin me 32 ekipe fituesit e grupeve nuk mund të takoheshin në raundin e 16-shes.
Rasti i fundit kur dy ekipe nga katër më të mirat e FIFA-s u përballën para gjysmëfinaleve ishte në vitin 2010, kur Holanda eliminoi Brazilin në çerekfinale me rezultat 2-1.
Por zgjerimi i Botërorit 2026 në 48 ekipe dhe shtimi i një raundi të ri eliminimi krijoi mundësi që skuadrat kryesuese të takoheshin më herët. Për këtë arsye, FIFA ndryshoi mënyrën e organizimit të shortit.
I njëjti parim i renditjes u përdor edhe në Kupën e Botës për Klube, ku një nga katër ekipet kryesuese, Real Madridi, arriti deri në gjysmëfinale.
Në Botërorin 2026, për momentin, sistemi i ri i FIFA-s ka funksionuar pikërisht sipas planit të organizatorit./BBC