Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), tashmë ka njoftuar se e ka dërguar zyrtarisht në Presidencën e Republikës së Kosovës nominimin e Zejnullah Gashit për Kryeprokuror të Shtetit.
Pas mbledhjes së mbajtur sot, KPK-ja ia ka përcjellë ushtrueses së detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, nominimin e Gashit, së bashku me dokumentacionin e plotë që ka shoqëruar procesin e përzgjedhjes, nga hapja e procedurës deri te vendimmarrja përfundimtare e Këshillit.
“Me dorëzimin e nominimit dhe dokumentacionit përkatës, procedura kalon në fazën e trajtimit nga Presidenca, ndërsa hapat e mëtejshëm do të zhvillohen në përputhje me kompetencat dhe afatet e përcaktuara nga legjislacioni në fuqi”, thuhet në njoftim.
Zejnullah Gashi u zgjodh me pesë vota më herët gjatë ditës nga Këshilli Prokurorial i Kosovës si kandidati për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Zejnullah Gashi nominohet për Kryeprokuror të Shtetit nga KPK-ja