Teknologji amerikane për dronët e Gardës Revolucionare: SHBA shpall fajtor inxhinierin që furnizonte fshehurazi Iranin

Një juri federale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka shpallur fajtor një inxhinier iraniano-amerikan për organizimin e një skeme të paligjshme që synonte dërgimin e teknologjisë amerikane me përdorim të mundshëm ushtarak në Iran, në kundërshtim me sanksionet e vendosura nga Uashingtoni.

43-vjeçari, i punësuar deri në fund të vitit 2024 në një kompani amerikane të prodhimit të gjysmëpërçuesve, u dënua për tri akuza që lidhen me komplotin për eksport të paligjshëm të teknologjisë, ndërsa u lirua nga përgjegjësia për dy akuza të tjera.

Sipas prokurorisë, ai kishte siguruar dhe transferuar sensorë të avancuar dhe komponentë elektronikë drejt një kompanie iraniane që prodhon sisteme navigimi për mjete ajrore pa pilot, të përdorura nga Garda Revolucionare e Iranit.

Për të fshehur destinacionin e vërtetë të pajisjeve dhe për të shmangur sanksionet amerikane, komponentët kalonin fillimisht përmes një kompanie të regjistruar në Zvicër, duke krijuar përshtypjen se produktet nuk po eksportoheshin në Iran. Autoritetet amerikane theksojnë se kompania prodhuese në SHBA nuk kishte dijeni se teknologjia e saj po përfundonte në duart e një kompanie iraniane.

Rasti mori rëndësi të veçantë për shkak të lidhjeve të kompanisë iraniane me programin ushtarak të dronëve. Sipas prokurorëve, sistemet e navigimit të prodhuara prej saj janë integruar në dronë të zhvilluar nga Irani.

Megjithatë, gjykata nuk lejoi që para jurisë të paraqiteshin pretendimet se e njëjta teknologji ishte përdorur në sulmin ndaj një baze amerikane në Jordani në janar 2024, ku mbetën të vrarë tre ushtarë amerikanë. Gjykatësi vlerësoi se këto prova mund të ndikonin në mënyrë të padrejtë në vendimmarrjen e jurisë.

Mbrojtja kundërshtoi akuzat gjatë gjithë procesit, duke argumentuar se të gjitha transaksionet ishin të ligjshme dhe se kompania zvicerane ishte një biznes real që merrej me zhvillimin e teknologjive civile për monitorim dhe gjurmim, e jo një kompani e krijuar për të anashkaluar sanksionet raporton AP përcjell Dukagjini.

Avokatët theksuan gjithashtu se klienti i tyre nuk kishte asnjë motiv për të rrezikuar karrierën dhe jetën e ndërtuar në SHBA duke shkelur ligjin.

Procesi gjyqësor ishte shtyrë për disa muaj për shkak të shqetësimeve se tensionet mes SHBA-së dhe Iranit mund të ndikonin në paanshmërinë e jurisë. Vendimi për dënimin e 43-vjeçarit pritet të merret në muajin tetor.

Autoritetet amerikane e konsiderojnë këtë rast një goditje të rëndësishme ndaj rrjeteve që tentojnë të anashkalojnë sanksionet dhe të furnizojnë Iranin me teknologji të ndjeshme që mund të përdoret për qëllime ushtarake.

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika