Derisa në Kosovë shtëpi të shumta ende ruajnë gjurmët e asaj që shkaktuan forcat serbe gjatë 1998- 1999, në Serbi ende flitet për spastrimin etnik në Kosovë.
Snezhana Paunoviq, ministre e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, në një intervistë në televizionin serb “Kurir” tha se po të ishte në vendin e Sllobodan Millosheviqit në vitin 1998, do ta pastronte etnikisht Kosovën.
“Po të kisha qenë në vendin e Millosheviqit në vitin 1998 do ta pastroja etnikisht Kosovën. Dhe ky është kualifikimi më i ashpër që e kam thënë ndonjëherë”, tha ajo.
Kjo deklaratë ka nxitur reagime të shumta, ku është kërkuar edhe shkarkimi i së njëjtës nga pozita që ka në qeverinë e Serbisë. Deputeti shqiptar në parlamentin serb, Shaip Kamberi përmes një reagimi në facebook tha se përmes një shkrese zyrtare, ka kërkuar reagim nga të gjitha ambasadat relevante ndërkombëtare në Beograd.
“Kur një anëtar i Qeverisë flet për spastrim etnik, pjesëtarët e komuniteteve pakicë me të drejtë shtrojnë pyetjen se çfarë sigurie mund të presin nga këto institucione. Si vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, Serbia ka obligim të respektojë dhe të mbrojë të drejtat e komuniteteve pakicë. Deklarata të tilla janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me këto obligime dhe tejkalojnë çdo standard demokratik mbi të cilin bazohet Bashkimi Evropian. Në cilësinë e deputetit në Parlamentin e Republikës së Serbisë, do të inicioj kërkesën për shkarkimin e ministres. Në të kundërtën, heshtja dhe mungesa e veprimit do të kuptohen si miratim i deklaratës së saj dhe si qëndrim zyrtar i të gjithë Qeverisë”, u shpreh Kamberi.
Në Bashkimin Evropian kanë bërë thirrje që politikanët në Serbi të përmbahen nga deklaratat nxitëse, por pa komentuar direkt deklaratën e Paunoviqit.
“Deklaratat e tilla janë në kundërshtim me vlerat e dinjitetit njerëzor, pajtimin, llogaridhënien dhe raportet e mira ndërfqinjësore mbi të cilat është ndërtuar BE-ja. Ato shkojnë edhe kundër obligimeve që ka marrë Serbia në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE për normalizimin e raporteve me Kosovën. Pra, ne presim nga të gjithë liderët që të përmbahen nga çfarëdo retorike nxitëse dhe të japin kontribut për një ambient të besimit dhe stabilitetit në rajon”, deklaroi zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper.
Ndërkohë që sipas ish-kolonelit të FSK-së, Afrim Veseli një deklaratë e tillë është shqetësuese dhe një mesazh për Kosovën dhe bashkësinë ndërkombëtare.
“Janë shqetësuese sepse po vazhdon një politikë shoviniste e Serbisë tash e 200 vite ky është një sinjal shumë i qartë për Bashkësinë ndërkombëtare në vecanti për SHBA-në që Kosova të mbështetet fuqishëm ushtarakisht dhe të përgatitet për një agresion të mundshëm përmasa të asaj se çfarë ka thënë ministrja në fjalë, dëbimet e shqiptarëve në 99 planin famëkeq”, u shpreh Veseli.
Sllobodan Millosheviq vdiq në Tribunalin e Hagës, në mars të 2006 pa marr verdiktin mbi akuzuat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë.